E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i OKB-së, strehëz për gratë që dhunohen

Në Tiranë do të ngrihet Strehëza për Strehimin dhe Trajtimin e Grave të Dhunuara. Kjo do të mundësohet në kuadër të programit të përbashkët të OKB-së, "ONE-UN" ("Një OKB"). Ky program do të zbatohet edhe në qarqet e Korçës, Kukësit dhe Durrësit, ku do të ngrihen menjëherë Njësitë për Mbrojtjen e Grave të Dhunuara.

Një lajm të tillë e ka bërë publik dje ministri i Punës, Kosta Barka, në një tryezë të posaçme, ku u diskutua për barazinë gjinore. Sipas Barkës, për monitorimin dhe vlerësimin e efektshmërisë së planeve të zbatimit do të krijohet një Komitet Drejtues i përbërë nga Ministria e Punës, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare që mbështesin barazinë gjinore dhe agjencitë pjesëmarrëse të Kombeve të Bashkuara. Programi që pritet të nisë në fillim të majit, tha ministri Barka, do të mbështesë realizimin e objektivave më prioritare të Strategjisë Kombëtare për Barazi Gjinore dhe Dhunën në Familje për periudhën 2008-2010 nëpërmjet forcimit të kuadrit ligjor dhe institucional për barazinë gjinore, rritjes së pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, përmirësimit të situatës së grave në rrezik, duke rritur mundësitë e tyre për të përdorur shërbime cilësore sociale, eliminimit të dhunës në familje, etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›