E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Nuk ka para për të gjitha ilaçet e listës

Pjesa më e madhe e ilaçeve, të cilat janë propozuar dje nga Komisioni i Listës së Barnave me Rimbursim nuk përfshijnë shumicën e pacientëve kronikë. Kjo do të thotë se ilaçet e sugjeruara nga komisioni dy ditë më parë rimbursojnë pacientë me sëmundje nervore, pacientë me prostatë, të sëmurë me zemër, fëmijët me zhvillim të vonshëm fizik, të sëmurët me Hepatit C, me ulcera apo me probleme polmonare. Këto sëmundje ndahen në nënkategori të tjera, të cilat përbëhen nga një pakicë të sëmurësh. 25 ilaçet e propozuara dje, përjashtojnë shumicën e këtyre pacientëve dhe rimbursojnë një pakicë të sëmurësh, ndërsa fatura është shumë e shtrenjtë për t‘u përballuar.

Sipas Institutit të Kujdesit Shëndetësor, në listën aktuale të barnave të rimbursueshme u bënë disa përmirësime në formdoza, për të cilat ISKSH-ja u shpreh në favor, pasi arrin të mbulojë koston financiare. Për sa i takon kombinimit Valsartan+Amlodipin, ISKSH-ja u shpreh se është i pamundur përballimi financiar.

Këto dy barna që shërbejnë për trajtimin e tensionit të zemrës, ndodhen në listën aktuale të rimbursimit. "Kombinimi i tyre ka një kosto prej 25 milionë lekësh të reja më shumë", ka njoftuar zyrtarisht ISKSH-ja.

Ilaçet e papërballueshme

Veç kombinimit të mësipërm, edhe bari Risperidon, me të cilin trajtohen pacientët me sëmundje mendore, ka një kosto tepër të lartë. Ky bar është propozuar të futet në formë lëngu, ndërkohë që në listën aktuale jepet me tableta. Ky ndryshim, nga tableta në lëng kushton 50 milionë lekë të reja vetëm për 100 pacientë, ndërkohë që janë 2100 të tillë. "Është një sëmundje që trajtohet në listë me disa barna, ndërkohë që një ndryshim i tillë ka një kosto të papërballueshme", kanë theksuar përfaqësuesit e ISKSH-së. Sipas tyre, jo vetëm që buxheti është i kufizuar, por nuk janë ndjekur as prioritetet për barnat. "Me këtë shumë parash do të ishte më e udhës të trajtoheshin sëmundje që për fat të keq janë të patrajtuara në listë, duke pasur prioritet fëmijët", theksoi ISKSH-ja. Për kostot e papërballueshme dhe për prioritetet e propozuara nga Komisioni i Hartimit të Listës së Barnave me Rimbursim do të diskutohet për pak ditë edhe në Këshillin Administrativ të ISKSH-së. Sipas Kujdesit Shëndetësor, specialistët do të diskutojnë për propozimet e Komisionit dhe njëkohësisht për mundësinë e përballimit të saj financiarisht.

Pacientët specifik

Çdo vit janë të paktën 100 pacientë, të cilët trajtohen nga sëmundja e Hepatit C. Sipas mjekëve gastro-hepatologë, trajtimi i deritanishëm i kësaj sëmundjeje është bërë me dy medikamente, Interferon dhe Copegus. Nëse në trajtim mungon njëra ose tjetra, probabiliteti për trajtimin e sëmundjes nga 70 për qind, ulet me më shumë se 30 për qind. Në propozimet e listës së barnave është përfshirë vetëm njëri nga këto medikamente, Interferon beta la-22 mcg dhe Interferon beta la-44mcg. Kosto e trajtimit të kësaj sëmundjeje vetëm për një pacient kap shifrën e 1400 eurove në muaj.

Po ashtu, dy medikamente të tjera janë për të trajtuar pacientët pas transplantit, të cilët janë shumë më pak në numër sesa ata që kryejnë dializë apo kanë probleme të tjera kronike të veshkave. Kështu, një pjesë e mirë e medikamenteve të propozuara shkojnë për sëmundjet nervore, kryesisht, epilepsi, për kancerin e prostatës, për të sëmurët me Hepatit C, për të transplantuarit, por jo për shumicën e pacientëve kronikë që vuajnë nga kjo sëmundje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›