E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia, KESH-i garanton importin për muajin e parë të vitit 2009



Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka siguruar import të qëndrueshëm me energji elektrike për muajin janar falë kontratave të lidhura në fundin e dhjetorit 2008. Kërkesa për import iu dërgua 20 kompanive dhe në përfundim, pas një negocimi të suksesshëm, u lidh kontrata me shoqëritë “Gen-i”, Slloveni dhe “EGL”, Zvicër, të cilat ofruan çmimin më të ulët të mundshëm. Sasia e importit për muajin janar po kontraktohet në kuadër të detyrimit kontraktual që KESH-i ka ndaj OSSH-së në përputhje me planin e masave, si edhe optimizmin e portofolit ekonomik të korporatës. Konkretisht, KESH-i siguroi nga “Gen-i” një sasi prej rreth 7 milionë kilovat energji elektrike, me çmim 48 euro/MW/h, ndërsa nga “EGL” do të marrë rreth 3 milionë kilovatë, me çmim 49 euro/MW/h. Në total për të gjithë importin me dy kompanitë KESH-i do të shpenzojë rreth 500 mijë euro.

Rritja e çmimeve, BSH marr masa për ruajtjen e stabilitetit

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe politika monetare e saj do të jetë e orientuar drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve, në përputhje me objektivin e saj. BSH-ja bën të ditur se nga informacioni i deritanishëm rezulton se faktorët e kërkesës së brendshme me natyrë nxitëse ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi janë më të balancuara. Megjithatë, parashikimet e BSH-së për 12 muajt në vijim evidentojnë se rreziqet inflacioniste janë ende të pranishëm në periudhën afatmesme, veçanërisht në kushtet e krizës financiare në tregun ndërkombëtar dhe mundësisë për shfaqjen e efekteve në një kohë të mëvonshme. Për këtë arsye, BSH-ja do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillim të ardhshëm në tregun financiar ndërkombëtar dhe vendas. Sipas BSH-së, aktualisht sistemi bankar shqiptar nuk është prekur nga kriza financiare që ka prekur tregjet ndërkombëtare.

Jashtë qarkullimit kartëmonedha 100 dhe 200-lekëshe

Kartëmonedhat 100 dhe 200-lekëshe kanë dalë nga qarkullimi që nga data 1 janar 2009. Sipas Bankës së Shqipërisë, këto kartëmonedha nuk shërbejnë më si mjet pagese. Të gjithë qytetarët që mund të kenë ende kartëmonedha të tilla duhet t’i këmbejë në sportelet e çdo banke të nivelit të dytë. Kartëmonedha 100-lekëshe ka në pjesën e përparme imazhin e luftëtarit kombëtar dhe në pjesën e pasme një peizazh malor, në qendër të të cilit është një shqiponjë. Nga qarkullimi ka dalë edhe kartëmonedha 100-lekëshe që në pjesën e përparme ka imazhin e Fan S. Nolit dhe në pjesën e pasme disa pamje nga ndërtesa e Parlamentit të parë shqiptar, stema e federatës shqiptare “Vatra”. Kartëmonedha 200-lekëshe ka të vendosur në pjesën para imazhin e Ismail Qemalit dhe në pjesën e prapme ka një shqiponjë, në mes të së cilës duket një pjesë e ndërtesës ku u shpall pavarësia e Shqipërisë. Sipas BSH-së, që prej datës 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 këto kartëmonedha mund të këmbehen pa pagesë me vlerën që kanë, pranë çdo banke të nivelit të dytë në vend.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›