E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli ngushton darën në Gaza, nuk rreshtin luftimet



Blerina Olldashi
Ofensiva izraelite kundër ekstremistëve të Hamasit në Gaza ka vazhduar dje, për të dhjetën ditë, me trupa, tanke dhe goditje ajrore në territorin palestinez. Zyrtarët palestinezë të spitaleve bënë të ditur se të paktën pesë veta u vranë dje në sulmet e ndryshme brenda qytetit të Gazës dhe në rrethinat e saj.
Mjekët palestinezë thanë se më shumë se 500 palestinezë janë vrarë gjatë 10 ditëve të sulmeve ajrore izraelite dhe ofensivës nga toka që filloi të shtunën. Izraeli ka konfirmuar se një nga ushtarët e tij është vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, u shpreh se Hamasi ka pësuar një goditje të fuqishme gjatë luftimeve në Gazë dhe do të vazhdojë derisa Izraeli të përmbushë objektivat. Barak foli në kohën kur një delegacion i nivelit të lartë të BE-së po zhvillonte bisedime me presidentin egjiptian Hosni Mubarak dhe ministren e Jashtme izraelite, Tzipi Livni, në përpjekje për të lehtësuar krizën. Livni e ka përshkruar ofensivën në Rripin e Gazës si pjesë të betejës së gjatë kundër terrorit dhe ekstremizmit në rajon. Pas takimit me nivelin e lartë të përfaqësuesve të BE-së, Livni tha se Izraeli po tenton të shmangë pasojat në njerëz si dhe të lehtësojë situatën humanitare në Gaza. Nënkryetari i zyrës politike të Hamasit në Gazë, Musa Abu-Marzuq, tha se iniciativa duhet të procedohej në bazë të ndaljes së operacioneve ushtarake të Izraelit dhe bllokadës në Rripin e Gazës. “Ne duam që agresioni dhe rrethimi të ndalë dhe të hapen pikëkalimet në mënyrë që njerëzit të mos jenë më të ekspozuar ndaj kësaj vdekjeje të ngadaltë”, - tha Abu-Marzuq. “Këto janë dy pika mbi të cilat duhet të mbështetet çdo veprim politik apo diplomatik që ka lidhje me Gazën”, - tha zëdhënësi i Hamasit. Njoftimet nga Rripi i Gazës bënë të ditur se numri i viktimave vazhdon të rritet në spitalet e tejmbushura të territorit, teksa Izraeli vazhdoi operacionin ushtarak për të dhjetën ditë. Ministria palestineze e Shëndetit tha se të paktën 90 veta janë vrarë që kur Izraeli filloi ofensivën nga toka ditën e shtunë. Rreth 20 fëmijë dhe katër punonjës të ambulancës janë në mesin e të vrarëve. Sipas burimeve izraelite, rreth 4000 trupa këmbësorie janë brenda Gazës. Izraeli ka ndaluar hyrjen e të huajve në Gazë dhe trupat e armatosura e kanë ndarë territorin në dy pjesë duke marrë kontrollin e rrugës kryesore që kalon në Rripin e Gazës.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›