E Diel, 1 Nëntor 2026

Strehimi në kryeqytet, rreth 4 mijë familje janë regjistruar si të pastreha



Strehimi zë një prej problemeve sociale më të mëdha në kryeqytet, ku numri i familjeve që konsiderohen si të pastreha është vërtet i lartë. Vetëm gjatë vitit që sapo lamë pas, me statusin e të pastrehëve janë regjistruar rreth 4 mijë familje, të cilat kërkojnë shtëpi në kryeqytet. Këtë vit pritet të nisin punimet për ndërtimin e rreth 1100 banesave sociale me qira. Kontrata e nënshkruar me Bankën për Zhvillim e Këshillit të Europës ka siguruar një kredi prej 15 milionë eurosh. Ajo u nënshkrua në dhjetor të vitit 2008 dhe veç kësaj, në buxhetin e shtetit për vitin 2009 janë parashikuar 140 milionë lekë si kosto lokale dhe TVSH. Në projekt përfshihen 9 bashki, ku vetëm në Tiranë do të ndërtohen 400 apartamentet e para. Zona e përzgjedhur për kryeqytetin është ajo e ish-Kombinatit të Autotraktorëve në Shkozë. Por, sipas të dhënave, kjo listë shtohet përditë, pasi aplikimi për të përfituar statusin e të pastrehuarit mund të bëhet në çdo kohë. Të dhënat janë për 11 njësitë bashkiake të Tiranës, ndërsa Drejtoria e Politikave të Strehimit ka klasifikuar edhe kategoritë e familjeve që kërkojnë shtëpi sipas të ardhurave. Në qytetet e tjera aktualisht janë transferuar sheshet e ndërtimit si pronë e bashkive dhe janë kryer studimet që janë miratuar nga këshillat e territorit.

Ndarja sipas të ardhurave

Në total janë 3937 aplikues, nga të cilët 3419 kanë kërkuar banesë me kosto të ulët, 491 kanë kërkuar banesë sociale me qira dhe vetëm 94 aplikues kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë. Pjesa më e madhe e të pastrehëve është ajo me të ardhura minimale. Sipas të dhënave të Drejtorisë të Strehimit, janë rreth 922 familje me të ardhura nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj. Ndërsa, 842 familje aplikuese kanë deklaruar se kanë më pak se 10 mijë lekë të ardhura në muaj. Gjithsesi, vërtetësia e deklarimit të të ardhurave lë shumë për të dëshiruar. Ky është një problem që është ngritur shpesh nga specialistët e kësaj drejtorie. Këtë argument e përforcon edhe fakti se numri i aplikantëve me të ardhura mbi 50 mijë lekë në muaj është i lartë, dhe shkon në rreth 640 familje.

Procedura për regjistrim

Të gjithë të pastrehët, përfshirë familjet të cilat kanë përfituar statusin e të pastrehut, sipas akteve ligjore në fuqi, duhet të plotësojnë dokumentacionin sipas një formulari tip të miratuar nga Ministria e Punëve Publike. Formularët e plotësuar dërgohen në zyrat e strehimit në bashki për t’u regjistruar në programin elektronik. Specialistët shpjegojnë se ky numër ndryshon periodikisht pasi qytetarët mund të aplikojnë në çdo kohë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë një periudhe më shumë se 15-vjeçare sektori i strehimit ka qenë më produktivi duke kontribuar me afërsisht 10 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Enti Kombëtar i Banesave që nga viti 1993 ka menaxhuar rreth 12 miliardë lekë fonde për strehimin dhe me anën e tyre janë strehuar rreth 13 mijë familje në të gjithë vendin.

Skema/////////////////////////
Numri i kërkesave sipas tri programeve sociale:

1- Kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 3419 aplikues

2- Kanë kërkuar banesë sociale me qira 491 aplikues

3- Kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë 94 aplikues

Nga formularët e regjistruar deri tani rezulton se:

- 3427 familje aplikuese nuk kanë përfituar nga ligji për privatizimet

- 2841 familje aplikuese banojnë deri në momentin e aplikimit në banesa me qira

- 567 familje aplikuese banojnë në banesa rrezik shembje

- 1391 familje aplikuese jetojnë në kushte të vështira higjieno-sanitare

- 78 aplikues janë të verbër

- 230 aplikues janë invalidë paraplegjikë-tetraplegjikë

- 319 aplikues janë invalidë të punës

- 33 aplikues janë invalidë lufte

- 1501 aplikues janë jetimë

Të grupuar sipas të ardhurave:

- 842 familje aplikuese kanë më pak se 10 000 lekë të ardhura në muaj

- 839 familje aplikuese kanë nga 10 000-20 000 lekë të ardhura në muaj

- 759 familje aplikuese kanë nga 20 000-30 000 lekë të ardhura në muaj

- 922 familje aplikuese kanë nga 30 000-50 000 lekë të ardhura në muaj

- 642 familje aplikuese kanë mbi 50 000 lekë të ardhura në muaj

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›