E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallakastër, 400 konflikte prone vetëm në një komunë

Mbi 400 konflikte për pronën regjistrohen vetëm në Komunën e Fratarit në rrethin e Mallakastrës. Prona është kthyer në një motiv për mjaft ngjarje të rënda dhe përplasje me pasoja në këtë komunë, ku nuk kanë munguar edhe viktimat. Fakti i numrit të lartë të konflikteve për pronën konfirmohet nga kryetarja e Komunës Fratar, Sabire Hoxhaj, e cila në një prononcim për gazetën "Shqip" ka theksuar se "Kemi numrin më të lartë të konflikteve në të gjithë qarkun". Ndarja e tokës nga komisioni i tokës në komunë ka shkaktuar edhe numrin e lartë të konflikteve për pronën në Fratar. Fshatarët tregojnë se prej vitesh paguajnë detyrimet në komunë për një pronë që fizikisht nuk e kanë në menaxhim. "Jam i rregullt në pagesën e taksës së tokës edhe pse të gjithë sipërfaqen që më ka dhënë komisioni i tokës nuk e kam fizikisht. Vetëm mua më mungojnë mbi 12 rrënjë ullinj", tregon për "Shqip" Selami Shahaj. "Familja ime që është e përbërë nga 7 persona duhet të kishte sot një sipërfaqe të madhe toke ndërkohë që në realitet unë kam sa për tre persona. Më të fuqishmit janë duke i shfrytëzuar prej vitesh ato, ndërkohë që unë detyrohem të paguaj taksat se nuk marr as dokumentin më të vogël nga komuna nëse nuk paguaj", thotë Veiz Fratari. Konfirmohet se konfliktet e pronësisë që janë kryesisht për mbivendosje prone i kanë çuar fshatarët e Komunës Fratar edhe në konflikte të rënda dhe në sherre me pasoja. Fshati i Fratarit dhe ai Kremenar regjistrojnë edhe numrin më të lartë të konflikteve. Në Kremenar, 85 për qind e tokës është ndarë gabim dhe ka shkaktuar përplasje mes atyre që e kanë në dokumente dhe të tjerëve që e posedojnë dhe e menaxhojnë.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës Fratar, Sabire Hoxhaj, ka pranuar problemet me ndarjen e tokës, si dhe konfliktet me burim këtë ndarje. Ajo thotë se u ka kërkuar ndihmë organeve shtetërore, por nuk ka pasur asnjë ndërhyrje prej tyre.

"Azhornimi në komunën time kërkon kthimin prapa të procesit të ndarjes së tokës. Kjo është e pamundur dhe tani duhet një ligj më i fortë dhe ndërhyrje të organeve të larta shtetërore që gjithçka të marrë zgjidhje. Nuk mund të shmangë komuna konfliktet që kanë pushtuar edhe pjesëtarët e së njëjtës familje. Ashtu si nuk mund të mos mohojë komuna se vetëm në 18 vitet e pluralizmit janë shënuar mbi 13 viktima për pronën", pohon Sabire Hoxhaj, kryetare e Komunës Fratar.

Ndërsa prefekti i Fierit Shahin Bejdaj, i pyetur nga gazeta "Shqip" lidhur me konfliktet e pronës në qark thotë se janë me mijëra të tilla. Ai thotë se zgjidhja e këtyre konflikteve mund të vijë vetëm nga miratimi i një pakete të re ligjore, e cila është vonuar për shkak të situatës politike që po kalon vendi. Gjithashtu, prefekti Shahin Bejdaj pohon se korrespodencën më të lartë me komunitetin e ka pikërisht për çështjet e pronësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›