E Diel, 1 Nëntor 2026

Shijak, përplasja e institucioneve u mohon pronën 40 fshatarëve

"Ministër na ndihmoni me ekspertizë!" Kërkesa i është drejtuar disa ditë më parë ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nga drejtuesi i Komisionit të Tokës në Qarkun e Durrësit, Seid Kërtusha. Janë më shumë se 20 hektarë tokë që kërkojnë zgjidhje mbi pronësinë. Në fshatin Koxhas, zemërimi i disa dhjetëra familjeve ndaj shtetit dhe strukturave të tij është i madh. Janë shtangur teksa kanë shkuar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për të marrë dokumentin e pronësisë mbi tokën dhe janë njohur me faktin se toka që kanë në zotërim nuk është e tyrja. Zona e mbetur jashtë pronësisë njihet me emrin Zalli i Kërtajve. Dikur pjesë e fshatit, ajo, të paktën zyrtarisht, është përfshirë brenda vijës së verdhë të qytetit të Shijakut. Fshatarët thonë se Zalli vazhdon të jetë pjesë e fshatit të tyre dhe në të "nuk vjen aspak era qytet". Një trekëndësh i vështirë komunikimi është krijuar mes fshatarëve që s‘u njihet pronësia, Hipotekës dhe Këshillit të Qarkut Durrës. Një trekëndësh ky që kërkon ndërhyrjen e ekspertëve dhe për më tepër të organeve të drejtësisë, pasi palët këmbëngulin në objektivitetin e argumenteve, fakteve të tyre, ndërsa situata mbetet pezull dhe ka zgjuar revoltën te 40 familjet e fshatit Koxhas të Komunës Xhafzotaj. Prej disa kohësh, ata enden në dyert e Hipotekës, Këshillit të Qarkut dhe Prefekturës së Qarkut Durrës për të zgjidhur problemin e tyre në dukje absurd. Dy javë më parë, Këshilli i Qarkut Durrës dhe Komisioni i Tokës në qark i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, dhe për dijeni ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana. Procedurat administrative të ndjekura i kanë kapërcyer të gjitha afatet e përcaktuara. Ato e kanë kaluar prej 11 vitesh fazën e shqyrtimit në Komisionin e Tokës në qark dhe zhvillimet e reja kanë ngrirë situatën pa mundur t‘i japin zgjidhje, jo për faj të banorëve të fshatit. Në shkresën e tij, kryetari i qarkut, Kërtusha, i drejtohet Alibeajt me kërkesën: "Duke qenë se në proces ka munguar një ekspertizë e kualifikuar për ofrimin e zgjidhjes së duhur për problemin e familjeve të fshatit Koxhas, kërkojmë ndërhyrjen tuaj për të ngritur një grup pune në nivel ekspertësh. Vetëm në këtë mënyrë do t‘i jepet fund zgjidhjes së çështjes".

Konflikti i mprehtë që është hapur mes fshatarëve, hipotekës dhe Këshillit të Qarkut ka mbërritur deri në Kryeministri për vetë specifikën dhe protestat e banorëve që kërkojnë njohjen zyrtare të pronës. Kërtusha thotë se është hipoteka që sorollat dhe nuk plotëson dokumentacionin e banorëve. Tapitë e afro 40 familjeve janë shpërndarë që në vitin 1993 dhe certifikuar nga Komisioni i atëhershëm i Tokës në vitin 1997. Për regjistruesin e Durrësit, Doklead Ademi, problemi që mban peng Zallin është një mospërputhje shkresore dhe konfirmimesh midis institucionesh në periudha të ndryshme. Ish-kryebashkiaku i Shijakut, Igli Çela, i dërgon një shkresë hipotekës më dhjetor 2007 ku i kërkon të pezullojë nxjerrjen e certifikatave të pronësisë për Zallin e Kërtajve, pasi kjo sipërfaqe i përket zërit kadastral tokë-truall. Përfshirja e zonës, pas shpërndarjes së tapive, në vijën e verdhë të Shijakut, ndryshon llojin e tokës nga bujqësore në truall. Shfrytëzohet mosregjistrimi i tapive në hipotekë dhe procesi i njohjes së pronësisë bllokohet. Hipoteka pretendon dhe për parregullsi të tjera gjatë certifikimit në komisionin e rrethit. "Tapitë kur mbërrijnë në hipotekë përbëjnë titull ekzekutiv dhe duhen regjistruar. Ne s‘mund të kryejmë veprime të tjera. Certifikimi është kryer nga paraardhësit", thotë prerazi Kërtusha, ndërsa banorët kërkojnë zgjidhje. Secili nga institucionet përpiqet të kalojë topin te tjetri, ndërsa pritet ngritja e një grupi ekspertësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›