E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, afati për rritjen e çmimit deri në gusht

29/06/2009  Pronarët e rinj duhet të aplikojnë në ERE për çmimin e 2010-s

Deri në gusht është afati që pronari i ri i OSSH-së ka për të aplikuar në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike për 2010-n. Nëse do të ketë rritje të çmimeve dhe sa do të jetë ajo vetëm Enti Rregullator i Energjisë mund të vendosë. Kompania private çeke që ka privatizuar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes ka të drejtë që të bëjë një propozim për rritjen e çmimit. Aktualisht është diskutuar për një rritje deri në 10 për qind, por ende nuk dihet se si do të jetë propozimi zyrtar që do të çohet zyrtarisht në Entin Rregullator të Energjisë.

Rritja e çmimit

Nuk do të ketë rritje tjetër të çmimeve të energjisë, edhe pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, të paktën për këtë vit. Ndërsa vitin e ardhshëm, sado të interesuar të jenë investitorët e huaj për rritjen e çmimit, Enti Rregullator i Energjisë do të ketë një rol tepër të rëndësishëm monitorues. Aktualisht në procedurën e përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike ndikojnë dy faktorë me rëndësi: njëri ka të bëjë me çmimet e importit të energjisë elektrike dhe tendencën e zhvillimit të tyre dhe me investimet që bëhen në sektorin e energjisë elektrike. Faktori tjetër ka të bëjë me zvogëlimin e humbjeve të energjisë.

Rishikimi i kontratave

Kontrata e furnizimit me energji të konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë është në fazë rishikimi. Kompania çeke do të sjellë propozimet e saj dhe do të jetë ERE-ja, institucioni përgjegjës për të vendosur standardet e cilësisë së shërbimit të furnizimit dhe të sigurisë për konsumatorët. “Standardet e cilësisë së shërbimit të propozuara nga kompania do të jenë pjesë përbërëse e kontratës së furnizimit me energji dhe do të përfshihen për t’u diskutuar në seancën e hapur dëgjimore që do të organizohet nga ERE-ja në vijim të procesit të rishikimit të kontratës proces në të cilin do të përfshihen të gjitha palët e interesuara dhe publiku i gjerë”, – kanë deklaruar burime të ERE-s. Drejtues të Entit Rregullator të Energjisë kanë kërkuar bashkëpunim të shoqatave të konsumatorëve për të ndërgjegjësuar opinionin publik në lidhje me pagimin e faturave të konsumit të energjisë, për të ulur kështu koston e energjisë.

Transferimi i aseteve

Hyn në fuqi vendimi për transferimin e aseteve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare, procedurë që i jep fuqi ligjore vendimit që Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë ka marrë në fund të muajit maj. Kështu, i gjithë inventari i listës së pronave të paluajtshme të OSSH-së, tashmë është në duart e pronarit të ri të shpërndarësit të energjisë.

Planet për rajonin

Kompania çeke CEZ synon zgjerim në të gjithë rajonin. Planet e kësaj kompanie janë për ta shndërruar atë në kompaninë lider të tregut energjetik të Evropës Juglindore dhe Qendrore. CEZ është aktualisht e pranishme në 14 vende, bashkë me Republikën Çeke. Vitet e fundit, kompania ka krijuar partneritet në Turqi me projekte për ndërtimin e disa hidrocentraleve, një prej të cilave është marrëveshja për zgjerimin me kompaninë turke, AK Energy.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›