Energjia e dobët, banorët në protestë
KRUJË Banorë të fshatrave të Komunës së Niklës të rrethit të Krujës, kanë dalë në një protestë paqësore, fillimisht në anë të rrugës nacionale Tiranë – Fushë Krujë e më pas e kanë bllokuar këtë segment rrugorë për pak minuta. Shkak i kësaj proteste ka qenë energjia elektrike, që ka sjellë për pasojë djegien e aparaturave elektronike dhe ka penalizuar në mënyrë të veçantë biznesin në këtë komunë. Sipas banorëve që i janë bashkuar protestës, në shtëpitë e tyre vjen një sasi e vogël, nga 40 deri 60 volt. Kjo ka detyruar ata që të bashkohen në protestë, duke i kërkuar CEZ, që të marrë masa për përmirësimin e situatës, ndërkohë që kanë paralajmëruar se nëse situata nuk përmirësohet për një javë, ata do përshkallëzon në protestën e tyre. Protesta është mbështetur edhe nga deputeti i zonës Gazmend Bizhga, i cili u shpreh se “kemi ardhur për të mbështetur elektoratin që na ka votuar. Ne e kemi ngritur këtë problem edhe në parlament, por që nuk ka gjetur zgjidhje. Është skandaloze që në vitin 2011 të kërkosh minimumin jetik, energji elektrike. Në darkë është e vështirë, sipas banorëve, të lëvizësh nëpër shtëpi nëse nuk ke qirinj, pasi energjia është shumë e ulët. Ndërsa ka penalizime në CEZ edhe gjatë ditës dhe kjo bëhet për arsyeje se kjo zonë vazhdimisht ka votuar për të majtën”. Ndërsa kryetari i komunës Nikël, Rrahman Rraja, pasi mbështeti banorët e zonës për protestën e tyre, u shpreh se “kjo situatë ka tre vite që përsëritet. Kjo ka sjellë penalizimin e mbi 150 subjekteve private, të cilat tashmë janë në falimentim. Po kështu, gjatë matjeve që i kemi bërë me punonjësit e CEZ, sasia e energjisë elektrike që vjen në kabina është 60 volt, ndërsa nxjerr prej saj 40 volt. Kemi ankesa nga banorët për materialet elektrike që kanë në shtëpi, që digjen çdo ditë, edhe pse në shumë raste nuk punojnë”.