Myslimanët dhe ortodoksët takojnë prefektin
SHKODËR Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari dhe famullitari i kishës ortodokse, At Nikolla Petani, janë takuar me prefektin e qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, ku kanë njohur këtë të fundit me problematiken e pronave të këtyre komuniteteve. Myftiu i Shkodrës i ka kërkuar prefektit ndërhyrjen në këtë çështje, e cila prej 20 vitesh ka rënë në veshin e shurdhër të pushtetarëve në Qarkun e Shkodrës. Gjatë fjalës së tij, Myftiu Sytari ka deklaruar “Në qendër të qytetit të Shkodrës, po mbahet peng qendra tregtare, pavarësisht se Bashkia Shkodër merr qiranë e këtij subjekti, nuk përgjigjet për pronësinë e këtij trualli, duke qëndruar në heshtje”. Nga ana tjetër, ai ka deklaruar se kjo nismë e këtyre dy komuniteteve fetare, nuk bëhet për synime politike, në prag të zgjedhjeve lokale të 8 Majit. “Jemi akuzuar se po përdorim këtë çështje, për motive politike. Lorenc Luka të qëndrojë i qetë, sepse, unë nuk do të kandidoj për kryetar bashkie, Muhamed Sytari nuk do të garojë në zgjedhjet lokale, unë thjesht kërkoj atë çfarë na takon” - ka
deklaruar Sytari. Komuniteti mysliman dhe ai ortodoks, kanë apeluar prej disa ditësh për këtë çështje, e cila sipas përfaqësuesve të komuniteteve fetare është pre e një pushteti të kapur, qoftë atij lokal, gjyqësor, apo edhe Agjencisë së Kthimit të Pronave, çështje e cila ka rënë në veshin e shurdhër të atyre që duhet të dëgjojnë. Me sa mësohet nga burime pranë takimit, prefekti Cungu, pasi është njohur me këtë çështje, nga përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, ka deklaruar se do të dërgojë zërin e tyre, pranë qeverisë shqiptare për gjetjen e një rrugëzgjidhje. Pavarësisht se ka disa ditë që dy komunitetet, kanë nisur kërkesat e tyre për kthimin e pronave, komuniteti katolik nuk është përfshirë në këtë çështje, ku duket se ky komunitetit nuk ka probleme me çështjen e kthimit të pronave. D.K.