E Diel, 1 Nëntor 2026

Parku i Dajtit, 12 gurore shkelin urdhrin e largimit

Plot 12 gurore që prej vitesh gërryejnë malin e Dajtit, në zonën e mbrojtur dhe të shpallur Park Kombëtar, kanë shkelur edhe afatin e fundit për mbylljen e këtij aktiviteti. Me një urdhër të ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, të gjitha këto gurore që operojnë në këtë zonë të mbrojtur duke dëmtuar rëndë ekosistemet natyrore duhej të largoheshin brenda datës 1 qershor. "Më datën 25 shkurt, ministri nxori urdhrin ku caktoi datën 1 qershor si afat përfundimtar për mbylljen e veprimtarive të guroreve", theksojnë përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Por, edhe pse kanë kaluar disa ditë nga ky afat, vetëm dy prej firmave nga 14 të tilla e kanë zbatuar urdhrin, duke e mbyllur aktivitetin, pohojnë drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, pas kontrolleve të ushtruara në këtë zonë. Si rrjedhojë, "12 subjektet e tjera, të cilat nuk e kanë zbatuar urdhrin, janë gjobitur me maksimumin e parashikuar në ligj, prej 500 mijë lekësh", u shpreh dje në një dalje publike ministri Xhuveli.

Në të njëjtën kohë, ka theksuar ai, për zbatimin e urdhrit, për mbylljen dhe shpërnguljen e këtyre veprimtarive, Ministria e Mjedisit ka njoftuar dhe po bashkëpunon me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Policinë e Shtetit dhe pushtetin vendor në zonë, për të mundësuar zbatimin e urdhrit për mbylljen e guroreve. Me një vendim të Këshillit të Ministrave të 21 qershorit të vitit 2006, ekosistemi natyror i Parkut të Dajtit u shpall Park Kombëtar. Si i tillë, parashikohet me ligj ndalimi i të gjitha veprimtarive që dëmtojnë ekosistemin natyror të kësaj zone, pa përjashtuar këtu edhe aktivitetin e guroreve, që krijojnë një impakt tejet negativ për mjedisin.

Mbështetur në këtë vendim, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, që në fillim të këtij viti, më 24 janar, ka paralajmëruar mbylljen e këtyre veprimtarive, duke kërkuar njëkohësisht rehabilitimin e mjedisit, sipas kërkesave ligjore. Ai i ka dërguar edhe një shkresë njoftuese Komunës Dajt, asaj Zall Herr të Qarkut Tiranë, Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, prefektit të Qarkut Tiranë, Ministrisë së Ekonomisë dhe përfaqësuesve të shoqërive që shfrytëzojnë karrierat e gurit gëlqeror në Parkun e Dajtit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›