E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahen Filozofia me Sociologjinë, bëhen 3-vjeçare

Degët e Filozofisë dhe Sociologjisë do të funksionojnë si departamente më vete. Në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi t‘i ndajë këto degë të Universitetit të Tiranës dhe t‘i bëjë ato me sistem trevjeçar, sipas Kartës së Bolonjës. Po kështu është vendosur edhe çelja e degës së re të Spanjishtes pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të UT-së. Sipas relacionit shoqërues të vendimit, tri degët e reja do të nisin të funksionojnë si të tilla në vitin e ri akademik 2008-2009. Shpenzimet financiare për hapjen e programeve të reja do të përballohen nga buxheti i Universitetit të Tiranës. Për sa i përket vazhdimësisë së mësimit në këto degë, mësohet se studentët që vazhdojnë aktualisht studimet në degët e Filozofisë dhe Sociologjisë do të vazhdojnë të ndjekin sistemin e vjetër, pra atë katërvjeçar. Siç dimë në Fakultetin e Shkencave Sociale janë katër degë, Shkenca Politike, Psikologji dhe Filozofi-Sociologji. Kjo e fundit ndahet në dy departamente dhe lëshon diploma të veçanta, nisur nga viti akademik që po vjen. Për sa i përket studentëve mbetës, vendimi bën të ditur se studentët mbetës do të marrin një diplomë në varësi të afateve të studimeve të tyre, të ciklit të parë "Filozofi" ose "Sociologji". Ndërsa studentët e rinj, pra maturantët që në regjistrim duhet të shënojnë në formularin A2 secilën degë veçmas, sipas preferencës së tyre. Studimet në këto degë do të jenë Bachelor, 3-vjeçare dhe me të drejtë konkurrimi për master. Për studimet e Nivelit të Parë studenti duhet të marrë 180 kredite. I njëjti rregull është edhe për degën e re të Spanjishtes, të Gjuhëve të Huaja. Studentët mund të ndjekin njërin nga dy drejtimet: Gjuhë dhe Letërsi Spanjolle dhe Qytetërim hispanik. Këto degë u çelën pas propozimeve të bëra nga Universiteti i Tiranës dy muaj më parë. Në gjuhën spanjolle është propozuar të pranohen 60 studentë në vitin e parë të çeljes së saj. Ndërkohë që kuotat për çdo degë janë propozuar nga universitetet shtetërore, por ende nuk kanë mbërritur për vendim në Këshillin e Ministrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›