E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia elektrike, bashkë me kufizimet vijnë edhe faturat e “fryra” të dhjetorit

Në mjaftë raste është faturuar deri në 1000 kilovat/orë . Qytetarët ankohen pranë sporteleve të OSSH-së në Tiranë

Ervin Koçi

Si të mos mjaftonin kufizimet e energjisë elektrike të ditëve të fundit në të gjithë vendin, në derën e qytetarëve kanë trokitur sakaq edhe faturat e para të muajit dhjetor 2008 me shifrat e “fryra”. Në mjaftë lagje të kryeqytetit konsumatorëve familjarë u kanë mbërritur fatura të energjisë të cilat kishin dyfishin e sasisë së energjisë së konsumuar në muajt e mëparshëm. Kjo gjë ka bërë që me qindra qytetarë të “derdhen” pranë sporteleve të pikave të OSSH-së në Tiranë për tu ankuar apo kërkuar sqarime për faturat tepër të larta që atyre u janë faturuar si konsum për muajin dhjetor 2008. Familje me të ardhura të pakta, pensionistë dhe të papunë duhet të paguajnë disa në dhjetëra mijëra lekë më tepër për muajin dhjetor. Shumë prej këtyre qytetarëve me fatura në duar kanë denoncuar pranë sporteleve të OSSH-së se “faturimi i muajit dhjetor nuk është real”. Shumica e faturave, sipas qytetarëve, tregojnë hapur se llogaritja e tyre është bërë gabim, pasi në familje që nuk përdorin energjinë as për ngrohje as për gatim, është faturuar rreth 1000 kilovat orë energji për muajin dhjetor.

Llogaritja

Faturave të energjisë elektrike që u kanë ardhur ditët e fundit qytetarëve mjafton t’i bësh një llogaritje të thjeshtë matematikore për të parë vlerën reale që duhet të paguajë një familje. Duke llogaritur 300 kilovatët e parë me 7 lekë dhe 700 kilovatët e tjerë me 12 lekë, duke shtuar kësaj shume edhe TVSH-në, del kollaj shuma e lartë që shumë familje duhet të paguajnë për muajin që lamë pas. Shumë qytetarë kanë nisur të ankohen për shumat e faturuara që kalojnë dy apo tre fish ato të muajve të mëparshëm. Shumë prej tyre pretendojnë edhe se ata gatuajnë dhe ngrohen me gaz nëpër shtëpi, në një kohë që u duhet të paguajnë njësoj si ta kenë çdo dhomë të shtëpisë me kondicioner. Gjithashtu qytetarët pretendojnë se faturat e muajve të tjerë nuk e kanë kaluar vlerën 4 mijë lekë, ndaj ata shprehen të shqetësuar për faturimin e energjisë së muajit dhjetor me bindjen se ajo (fatura) nuk është llogaritur mirë. Të njëjtën logjikë japin pak a shumë të gjithë qytetarët që janë befasuar nga faturat e dhjetorit. Ata e dinë përafërsisht se sa është konsumi i energjisë në një muaj, ndaj janë befasuar këtë herë.

Faturuesit

Pasi kemi pyetur në disa njësi të OSSH-së për kryeqytetin gati në të gjitha kemi marrë nga përgjegjësit e faturistëve të njëjtën përgjigje, “nuk ka pasur gabime në faturime”. Të pyetur nga “Albania” për këtë çështje drejtues të njësive të OSSH-së në Tiranë nuk pranojnë të jenë bërë gabime me llogaritjen e konsumit të energjisë, pasi sipas tyre, “matësit e çdo qytetari janë të verifikueshme prej tyre në çdo muaj”. Secili mund t’i lexojë ato në bokset kolektive që janë pranë çdo banese, apo dhe në banesat private. Por nga ana tjetër, faturat tregojnë krejt të kundërtën. Ato familje që në përgjithësi kanë një konsum konstant në muajt e tjerë, kanë rritje të energjisë së konsumuar në faturat e tyre. Ndërsa për disa të tjerë që konsumojnë më shumë, si për çudi dhjetori i këtij viti ka qenë më i kursyer, duke iu faturuar energji shumë më pak sesa kanë harxhuar. Në ditët e fundit të dhjetorit konsumi i energjisë në shkallë vendi arriti deri në 24-25 milionë kilovat orë energji.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›