Fier, rezultatet e dobëta në punë shkarkojnë drejtorin e OSSH-së
Zona e Shpërndarjes së energjisë në Fier e ka nisur me rezultate të dobëta punën në ditët e para të janarit, ndërsa mbylli vitin 2008 me mosrealizim të treguesve të arkëtimeve nga të gjithë grupet e konsumatorëve, krahasuar edhe me vitin 2007. Në analizën vjetore të punës që u zhvillua dje në këtë rreth, ku mori pjesë dhe drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Sait Dollapi, u shkarkua nga detyra drejtori i zonës, Andi Prifti. Dollapi kërkoi analizën e faktorëve, që sipas tij, çuan në prishjen e treguesve të kompanisë, nisur nga fakti që zona e Fierit në vitin 2007 ishte zona me tregues më të stabilizuar. Ai kritikoi treguesit e 15-ditëshit të parë të muajit janar. “Shënjat nuk janë të mira as për fillim vitin 2009, pasi krahasuar me15-ditëshin e një muaji më parë, ka rënie të nivelit të arkëtimeve dhe shtim të konsumimit të energjisë. Që në datën 13 janar, zona e Fierit ka 5, 7 për qind më pak arkëtime për sektorin privat dhe 4,52 për qind për familjarët”,- u shpreh Dollapi. Në zonën e shpërndarjes së Fierit me 120 mijë abonentë, konsumi i energjisë u rrit 15-18 për qind në vitin 2008. Por mbetet e dukshme fenomeni i “faturave 0”, pasi nga 120.000 abonentë në zonën Fier-Vlorë, janë 37.000 mijë fatura që figurojnë me tregues 0 në konsumin e energjisë, për të cilat Dollapi tha se, ”kjo lë një shije të keqe, pasi ka abuzime dhe fshehje të konsumimit të energjisë elektrike”.
Qeveria i jep të drejtën “ARMO”-s të përpunojë naftën “D2”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e dhënies së lejes së koncesionit “ARMO sh.a., Tiranë”, për përpunimin e naftës, gazit dhe të nënprodukteve të tyre, sipas dokumentit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ndërkohë po dje pas këtij vendimi edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka mbështetur vendimin e Ministrisë së Financave për ngrirjen në 37 lekë të akcizës për karburantet. Kreu i këtij institucioni Përparim Dervishi, ka deklaruar se kjo masë do të stabilizojë tregun, pasi sipas tij çmimi i ulët i naftës në bursën ndërkombëtare nuk është i besueshëm dhe me shumë gjasa do të rritet sërish. Vendimi për ngrirjen e akcizës është me përfitim për doganat, pasi rrit të ardhurat, por sipas kreut të këtij institucioni kjo masë nuk do të ketë ndikim në çmimet e shitjes me pakicë ashtu siç edhe është deklaruar nga kompanitë importuese. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Përparim Dervishi, ka deklaruar se gjatë vitit që lamë pas zhdoganimet e karburanteve kanë pësuar rritje prej 15 mijë ton ose rreth 4.5 për qind kundrejt 2007-ës, pavarësisht se gjatë pjesës së parë të vitit të kaluar çmimet u rriten në nivele rekord.
15 Janar 2009