E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, Berisha takon “Soravia Group”



Kryeministri Berisha priti dje pasdite Presidentin e “Soravia Group”, z. Hanno Soravia. Kompania e njohur austriake prezantoi plan-projektin për ndërtimin e një qendre turistike në zonën e Novoselës në Vlorë. Projekti parashikon edhe hapjen e një shkolle për turizmin. Vlera totale e investimit llogaritet në rreth 200 milionë euro dhe nga ky investim parashikohet krijimi i 2 mijë vendeve të reja pune, me ndikim në zhvillimin ekonomik të zonës. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, përfaqësuesit e “Soravia Group” kërkuan përshpejtimin e procedurave, për të vënë në zbatim projektin, si dhe mbështetje me infrastrukturën lidhëse: rrjetin rrugor dhe furnizimin me energji elektrike. Kryeministri Berisha i siguroi investitorët austriakë se do të punojë ngushtësisht me autoritetet lokale, për të bërë të mundur shpejtimin e procedurave, si dhe do të akordojë edhe fondet e nevojshme për zhvillimin e infrastrukturës në zonën ku parashikohet të ndërtohet rezidenca turistike.

QKR, drejt krijimit të një data-base të kërkimit të kryqëzuar

Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit (QKR) synon të realizojë këtë vit, krijimin e një data-base, mjaft të nevojshëm për shumë fusha dhe me mundësi kryqëzimi të kërkimit, çka pritet të shërbejë edhe si bazë statistikore për bizneset dhe vetë shtetin. Tomi Kola, kryetari i KQR-së, ka sqaruar dje për median se ky projekt do t'i hyjë në punë shtetit për statistikat e veta, biznesit, investitorit të brendshëm dhe të jashtëm, bashkëpunimit të gjithanshëm dhe rrit sidomos, interesin e investimeve të huaja. Sipas tij, këto të dhëna do t'i shërbejnë gjithashtu edhe biznesit për të parë konkurrencën. Kola tha se të dhënat shtesë për krijimin e këtij data-base, do t'i fusim si një shtojcë të aplikimit, duke shtuar se me anë të këtij programi, identifikohen gjithashtu nëse bizneset janë me kapital shqiptar apo të huaj, ndërkohë që rrit mundësinë e bashkëpunimit. Ndërkohë, Qendra e Regjistrimit të Biznesit, (QKR), gjatë këtij viti do të shtojë edhe tre elementë të tjerë të sigurisë në NIPT, si relievi i logos së QKR-së, vendosja në katër cepat e certifikatës të logos së QKR-së, si dhe "Wotermarks". QKR filloi punë më 3 shtator 2007, duke zëvendësuar procedurat e mëparshme të regjistrimit në gjykata për të gjitha llojet e bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik në Shqipëri, i mbështetur nga Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit, të financuar nga SHBA.

Nafta zbret në 1 mijë lekë në Tiranë

Ka nisur të ulet, por me ritme të ngadalta. Çmimi i naftës në vend ka filluar të luhatet në rënie, por jo me ato ritme që do duhej të reflektonte realisht tregu.

Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit në Tiranë janë ulur dje (12 janar) me 5 lekë për litër (1 litër naftë 100 lekë, 1 litër benzinë dhe 1 liter Euro Diezel 105 lekë për litër), duke pasuar uljen e dy javëve më parë, me të njëjtin çmim, 5 lekë për litër. Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare çmimi i një fuçie nafte vazhdon të jetë në kuota të ulëta, 40 dollarë për fuçi. Në fillim të javës së kaluar, çmimi i një fuçie nafte në tregun ndërkombëtar ishte 46 dollarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›