E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vila Vodafone – Mjedisi më i bukur i festave të fundvitit



Viti i Ri 2009 tashmë ka marrë rrjedhën e vet natyrale dhe vetëm tek-tuk dallohen ende shenjat e zbukurimeve dhe dekoracioneve që për javë të tëra ndriçuan dhe inspiruan banorët e kryeqytetit me atmosferën festive. Fundi i vitit 2008 e gjeti Tiranën dhe sidomos zemrën e qytetit dhe arteriet e saj kryesore të mbështjella në drita dhe dekoracione festive. Sheshi “Skënderbej” dhe më tej bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u lidhën me vargje të ndriçuara, të cilat ndryshuan dukshëm fasadat zyrtare të institucioneve më të rëndësishme. Por surpriza më e këndshme festive për banorët e Tiranës u servir në rrjetin e dyqaneve Vodafone dhe sidomos në qendrën e tyre tek ish-Blloku dhe që njihet nga të gjithë me emërtimin Vila Vodafone. Fundviti 2008 ishte përgatitur me mjaft kujdes nga kompania më e madhe celulare në Shqipëri dhe qëllimi ishte që Vila Vodafone të kthehej në pikën më të bukur në kryeqytet dhe në të njëjtën kohë në qendrën e interesit të kryeqytetasve për të përjetësuar kujtimet e festave në fotografi të panumërta poshtë pemës më të bukur të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe për të përfituar nga ofertat dhe dhuratat e panumërta të ofruara nga rrjeti i dyqaneve Vodafone. “Realizuam një mjedis të tillë festiv kaq të veçantë dhe impresionues me qëllimin e vetëm për të falënderuar forcën më të madhe të kompanisë Vodafone që janë klientët tanë të mrekullueshëm”, - shprehet drejtori i Shitjeve të Vodafone Albania, z. Dimitris Tsorbatzoglou. “Të gjithë ne që punojmë për Vodafone, ndihemi veçanërisht të kënaqur kur shikojmë se mjedisi festiv tek Vila Vodafone nuk ka pushuar të jetë i mbushur me shumë njerëz të cilët fotografohen vazhdimisht së bashku me familjarët e tyre”, - shton z. Tsorbatzoglou. Pema e festave, 6.5 metra e lartë, dekorimi i saj impresionues, drerët e ndriçuar me shumë shije dhe ravijëzimi ornamental dhe elegant i Vilës Vodafone ishin fryt i punës mjeshtërore të kompanisë së marketingut Le Spot Productions Albania, që bëri të mundur krijimin e këtij mjedisi kaq të dashur jo vetëm për banorët e kryeqytetit, por edhe për të gjithë ata vizitorë të ardhur nga qytetet e tjera dhe nga jashtë Shqipërisë për të shijuar atmosferën e festave të fundvitit në Tiranë.

Italia, interes për të eksportuar drejt Shqipërisë

Prodhuesit italianë të makinerive dhe pajisjeve shfaqin interes për tregun ballkanik, duke u përqendruar fillimisht tek Shqipëria. Instituti Italian i Tregtisë së Jashtme në bashkëpunim me kompanitë e interesuara kanë paraqitur projektin për Ballkanin, i cili synon që të eksportohen nga Italia drejt Shqipërisë makineritë e përpunimit të metaleve si edhe pajisje të tjera për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në fjalën e tij Françesko Vituli, drejtor i Institutit Italian për Tregtinë e Jashtme u shpreh: “Kjo iniciativë për Shqipërinë është e ndërlidhur me interesin italian për të gjithë Ballkanin. Ajo pason nisma të tjera që zbatuar në Shqipëri në bashkëpunim me sektorin prodhues”. Më tej Stefano Simioni, përfaqësues i kompanive italiane shtoi: “Projekti për Ballkanin konsiston në dy faza. Faza e parë është kryerja e studimeve në tregun në Shqipëri, Kroaci, Serbi dhe Slloveni për të parë mundësitë. Faza e dytë është prezantimi i konkluzioneve të këtij studimi, ku do të hidhen edhe bazat e bashkëpunimit mes kompanive të të dyja vendeve”. Italia renditet vendi i katërt në botë për prodhimin e makinerive të përpunimit të metaleve dhe e treta për eksportin e tyre. Ndërmarrjet italiane, në ekspansion të vazhdueshëm, për herë e më shumë po u drejtohen si tregjeve të largëta, ashtu edhe ato të afërta me një përqindje zhvillimi domethënës si vendet e zonës së Ballkanit, për të qenë të parat për t’i eksploruar dhe për t’i bërë ballë konkurrencës gjermane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›