MB: Niveli i sigurisë, qeveria, aleancë me qytetarët
Ministria e Brendshme reagoi dje ndaj deklaratave të selisë rozë për mungesë sigurie në vend. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, tha dje se qeveria shqiptare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit për sa i takon nivelit të sigurisë kanë aleatin e tyre më të fortë qytetarin shqiptar, i cili ndihet sot më i sigurt se kurrë më parë në jetën e tij të përditshme. “Me ardhjen e kësaj qeverie në pushtet u bë i mundur asgjësimi i rreth 300 grupeve të krimit të organizuar dhe arrestimi i rreth 1 000 anëtarëve të këtyre bandave.
Sot Shqipëria është në nivele më të ulëta kriminaliteti se edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian”, - deklaroi ai duke shtuar se sot janë mbi 300 persona të inkriminuar të ekstraduar nga vende të ndryshme që janë dërguar në dyert e drejtësisë shqiptare.
Konja nënvizoi se gjatë viteve të qeverisjes së kësaj qeverie janë zbuluar rreth 900 ngjarje të vjetra, autorët e të cilave ishin “larguar në drejtim të paditur” gjatë viteve të qeverisjes socialiste. “Sot strukturat e zbatimit të ligjit brenda një kohe rekord zbulojnë deri në 95% të ngjarjeve kriminale. Gjatë viteve të kësaj qeverisjeje nuk ka humbur jetën as edhe një punonjës i vetëm policie, përkundrejt 180 punonjësve të policisë të vrarë gjatë viteve të qeverisjes socialiste”, - shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Sa për sigurinë e rrugëve, ai tha se sot rrugët dhe territoret e vendit tonë janë pjesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve, përkundër kontrollit të perandorisë së krimit që sundoi gjatë viteve të qeverisjes socialiste.