Pritet recesion i dyfishte ne Eurozone

Studimi i biznesit tregon se Eurozona është e destinuar që pas 3 vitesh të futet në recesion, pasi kriza e borxhit sovran ka prekur edhe Gjermaninë, ekonomia e së cilës është rritur me vetëm 0,3% në tremujorin e dytë të vitit. Investimet në ndërtim dhe sektori i automjeteve kanë dhënë shenjat e para të rënies edhe në ekonominë më të fortë të Europës. Ndërkaqë të dhënat paraprake të studimit të indeksit menaxherial nga Markit tregojnë se, blloku i monedhës së përbashkët me 17 anëtarë do të tkurret midis 0.5 deri në 0.6% në këtë tremujor të tretë të vitit dhe shifrat janë shumë herë më të këqija nga parashikimet që analistët kanë bërë në sondazhe të ndryshme. Ajo çfarë nisi në vendet e periferisë ekonomike ka dëmtuar besueshmërinë konsumatore dhe të biznesit në të 17 anëtarët. Të dhënat shtojnë presionin mbi politikë bërësit për të ndërmarrë hapa radikalë në ndihmë të ekonomive vunerabël të Spanjës dhe të Italisë, pavarësisht se janë përkatësisht ekonomia e katërt dhe e tretë në Eurozonë dhe me rëndësi të rangut global. Indeksi i përbërë menaxherial i Markit, që mat aktivitetin në manifakturë bashkuar me shërbimet është rritur lehtë në 46.6 për gushtin kundrejt 46.5 në korrik. Por ky indeks është për të shtatin muaj në radhë poshtë kufirit të 50 pikë që ndan tkurrjen nga zgjerimi i aktivitetit. Por të dhënat më shqetësuese është fakti që problemet ekonomike të periferisë tani po hedhin rrënje edhe në zemër të Europës. Kështu indeksi i përbërë menaxherial për Gjermaninë ra në pikën më të ulët në 3 vitet e fundit dhe regjistron muajin e katërt në radhë që është poshtë 50 pikë. Në Francë ky indeks ra për të gjashtin muaj në radhë.