E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë me veten

Elsa Ballauri 

Këtë radhë nuk prita asnjë gazetar të hynte në zyrë për të më kërkuar një intervistë. Më dukej se ishte e tepërt dhe do të ndjehesha shumë false kur të flisja për të njëjtat probleme me të cilat kemi pothuajse dy dekada që rrekemi t’i zbulojmë e t’i zgjidhim e nuk po ua gjejmë dot fillin. Ideja e intervistës m’u faneps atë ditë kur mediat publikuan raportin e Amnesty International për gjendjen rënduar të të drejtave të njeriut në vendin tonë. Pas këtij raporti, jam e bindur se bashkë me mua janë ligështuar edhe shumë të tjerë që punojnë në këtë fushë prej vitesh… Për të qetësuar veten, mendova se llogarinë dhe pyetjet duhej t’ia bëja më së pari vetes… Ç’po ndodh sot me të drejtat e njeriut? Ku ndodhemi ne luftëtarët që iu premtojmë qytetarëve ndihmën tonë? Si e ndjejmë veten ne pas 18 vjetëve përpjekje. Ndofta kjo është edhe pyetja më e vështirë për t’u përgjigjur. Nuk mundet dot ta cilësosh si një pyetje ku mund të fshihesh pas kurrizit të tjetrit dhe ta bësh fajin kolektiv. Mua personalisht më shqetëson shumë. Vërejtja e Amnesty International nuk është më një vërejtje rutinë, e cila vjen si rezultat i një investigimi skrupuloz të kësaj organizate skrupuloze. Të diskutosh ende për kushtet e paraburgimit, për torturën si mjet që përdoret akoma nga institucioni i policisë shqiptare, është shumë më shumë se sa të pasqyrosh dhunën në familje, dhunën dhe pozicionin e gruas në shoqëri. Ndërsa e para është një proces i drejtpërdrejtë i zbatimit të ligjit dhe i kërkesës së llogarisë, e dyta lidhet me traditën e individit, me kulturën e shoqërisë, e cila do të përmirësohet sipas një evolucioni të caktuar. E para është një  detyrim i shpejtrealizueshëm i shtetit ligjor. Nëse qeveria mbyll sytë përpara shkeljeve dhe nuk bën asgjë për t’i riparuar, ose nuk di se si duhet vepruar, atëherë kemi qeveri të paaftë, ose naive apo të papërgatitur për të udhëhequr. Në të dytën, shteti del në një formë më të shmangur, atëherë kur nuk krijon shërbime për të zbehur fenomenin, kur nuk i krijon kushte respektimi, lirie dhe sigurie ekonomike qytetarit të vet. Në të dyja rastet kemi përgjegjësinë shtetërore… Më vjen keq ta them se sa e dhimbshme është për ne që vazhdojmë të trajnojmë policinë mbi “teorinë e dajakut”…
Është një thënie shumë e zgjuar dhe shumë e vërtetë që duhet të bëhet udhërrëfyese për njerëzit që drejtojnë punët e shtetit: “Të drejtat pa shërim, nuk janë më të drejta”. Pra, nëse shkeljet nuk ndreqen, nëse të drejtat e njeriut nuk ecin në procesin e shërimit të tyre deri në fund, atëherë nuk mund të flasim më për të drejtat e individit, ato e humbasin vlerën. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar, sidomos për ne. Jemi mësuar t’i shtyjmë vitet në një stil virtual, kënaqemi me fjalë, me teori paçka se punët nuk zgjidhen. Për fat të keq kjo na ka bërë edhe më të zbrazur shpirtërisht, sepse nuk e dimë mirë se ç’do të thotë kënaqësi e rezultatit maksimal të punës që bën. Mua më tingëlloi shumë keq deklarata e Amnestisë. Kujtova ditët dhe vitet e para, pas përmbysjes së sistemit të diktaturës. Ishin burgjet dhe paraburgimi një nga gangrenat më të rënda të Shqipërisë. Investimi ishte i madh, përpjekjet ishin të jashtëzakonshme për të ndërruar jo vetëm atë sistem që cenonte mijëra shqiptarë, por për t’i ndërruar fytyrën Shqipërisë. Befas tani (pavarësisht se nuk është plotësisht befasuese), AI ngre të njëjtin problem me gati po ato prioritete si dukur. Si mundet ne, shoqatat e të drejtave të njeriut të jemi rehat dhe të mos ndjehemi keq… A është vallë mentaliteti që e mban peng administratën dhe që gjykon çdo të dënuar ose të ndaluar një qytetar që nuk ka më vlerë të jetojë normalisht?
Një tjetër pyetje që më shqetëson prej kohësh është; ç’po ndodh me shoqërinë civile shqiptare, ç’po ndodh me organizatat e të drejtave të njeriut… A janë, ku janë, …si janë tani pas kaq vite pune? Një gjë është e sigurt, ato janë, por nuk janë të lumtura.  Të paktën ato që deri tani janë artikuluar më shumë dhe më dendur nëpër tallazet e historisë post-komuniste, ende vazhdojnë të punojnë. Unë jam një prej këtyre njerëzve dhe më vjen keq ta them se shoqëria civile shqiptare, të paktën ajo që punon më afër me problemet e të drejtave të njeriut, nuk është më në kulmet e saj. Mendoj, ka disa arsye që e kanë krijuar këtë zbehje. Në këto afro dy dekada ndjehet një lodhje që vjen se rezultatet e arritura nuk kanë qenë kurdoherë ato që duheshin dhe i kanë bërë të tërhiqen shumë aktivistë, arsye tjetër është se motivimi ka qenë i ndryshëm: misionarë të të drejtave të njeriut e kanë kthyer misionin e tyre në një zgjedhje politike, apo largimi nga vendi. Kjo është normale për sa kohë është e nevojshme të ketë një shërbim të përkushtuar në çdo sektor, qoftë ky shtetëror ose privat, por lënia e çoroditur pas e gjërave, ose mbyllja e misioneve të nisura e ka dobësuar shoqërinë civile. Shpesh njerëzit janë lodhur edhe se kanë nevojë të mbijetojnë. Tërheqja e shumë donatorëve i ka trembur ata. Kjo është edhe pjesa tragjike e shoqërisë shqiptare ku nevoja për mbijetesë bëhet ligji parësor, i cili zbeh të gjitha pasionet dhe motivimet humane.
Sektori i të drejtave të njeriut deri diku ka harruar frymën luftarake, duke mos ndaluar siç duhet gjatë në shumë probleme të rëndësishme që po i rikthehen si boomerang në fytyrë, paraburgimi, burgjet, pronat, gjykatat etj. Dhe sidomos disa tema që ende vazhdojnë t’i thonë STOP mendjeve tona, si ajo e rishikimit të periudhës së diktaturës dhe ndërtimit të kujtesës historike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›