E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, fillon kompensimi

20/05/2010 Në faturat e muajit prill është shtuar zëri i rimbursimit të mbifaturimit gjatë muajit janar

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nis shlyerjen e parave që ka marr tepër nga qytetarët

Në faturat e energjisë elektrike të muajit prill është shtuar edhe një zë i ri, ai i rimbursimit. Në përgjigje të të gjitha ankesave të drejta, të qytetarëve mbi mbifaturimet që u kryen në muajin janar, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, është angazhuar të kompensojë të gjithë qytetarët. Ashtu siç u deklarua edhe publikisht, rimbursimi i faturave të muajit janar u bë në faturat e prillit. Qytetarët pranojnë se shumës së këtij muaji i është zbritur shuma shtesë e llogaritur muaj më parë. E megjithatë, ka nga ata që janë të paqartë për këtë praktikë. Disa qytetarë deklarojnë se nuk janë në dijeni të rimbursimit që duhet të bëhet në prill. Madje, ata vazhdojnë të shprehen se faturat vijojnë të jenë shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i privatizuar nga kompania çeke, CEZ, llogariti çmimet e muajit dhjetor 2009 me çmimet e reja dhe të rritura të vitit 2010. Kjo rëndoi me të padrejtë faturat e qytetarëve, të cilët drejtuan ankesa pranë Entit Rregullator të Energjisë. ERE e cilësoi këtë veprim në shkelje të vendimit të këtij institucioni dhe kërkoi rimbursimin e të gjitha faturave të janarit. Ndërkohë një ndër objektivat kryesor të OSSH-së është eliminimi i abuzimeve në matje dhe për këtë po vendoset teknologjia e re "My Avis", që do të mbahet nga çdo faturues, që do të bëjë të mundur kalimin e të dhënave direkt në regjistrin kombëtar të faturimeve, si dhe do të ulë çdo mundësi abuzimi. Sipas drejtuesve të kompanisë, ky projekt ka nisur në Durrës dhe pritet të përfundojë në të gjithë vendin brenda vitit 2011. Ndërkohë, për të qenë transparentë me konsumatorët, në të ardhmen leximi i aparateve matëse do të bëhet në mënyra bashkëkohore. OSSH-ja ka marrë parasysh që kapakët e kutive të jenë me xham, në mënyrë që qytetarët të shohin matësit e tyre. Ndërkohë mendohet që leximi i matësve të bëhet me skaner, në përputhje me sistemet satelitore. Në kuadër të zbatimit të këtyre reformave OSSH-ja ka penalizuar shumë prej punonjësve të saj, kryesisht faturist të cilët kanë rezultuar me shkelje gjatë kontrollove që janë bërë.

Faturimi, nga 1 maji u hoqën aforfetë

Që nga fillimi i këtij muaji dhe në vazhdim çdo faturim i energjisë elektrike do të bëhet në bazë të matësve të energjisë, pasi faturime aforfe nuk mund të aplikohet më nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Sipas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, OSSH-ja e ka të ndaluar të aplikojë në vazhdim faturime aforfe. Sipas ERE-s, nëse do të ketë raste të kësaj natyre, qytetarët duhet të drejtojnë ankesa dhe më pas të rimbursohen për faturat e paguara. Nepravishta thekson faktin, se nuk do të ketë më shtyrje të afatit për faturimet aforfe dhe se çdo shkelje e këtij vendimi do të jetë kosto që do paguhet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Ndërkaq, sipas drejtuesve të ERE-s, bëhet me dije se Operatori i Shpërndarjes ka bërë pajisjen me matëse të të gjithë konsumatorëve. Enti Rregullator i Energjisë njoftoi muaj më parë se data 30 prill është fundi i afatit i përdorimit të faturave aforfe dhe nisja e faturimeve plotësisht në bazë të matësve. Çdo faturim që do të bëhet aforfe, do të duhet të rimbursohet nga ana e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sistemi i faturimit aforfe të energjisë elektrike llogaritej sipas kritereve që kishte vendosur Enti Rregullator i Energjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›