E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renta minerare, tani përfiton edhe pushteti vendor

Propozimi

Qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë me bashkitë dhe komunat të ardhurat e veta nga taksa e rentës minerare, si dhe ka propozuar ndryshime në nivelin e rentës me efekt të përgjithshëm rritjen e ngarkesës fiskale për shfrytëzuesit e mineraleve të nëntokës shqiptare. Ndryshimet e propozuara në ligjin për Taksat Kombëtare po diskutohen aktualisht në Parlament. Renta minerare paguhet nga kompanitë që kanë licenca për shfrytëzimin e pasurive të nëntokës, qofshin këto minerale apo gurë për industrinë e ndërtimit, si dhe kompanitë e shfrytëzimit të naftës e gazit. Aktualisht, kompanitë paguajnë si taksë 4-10 për qind të të ardhurave të veta. Gjatë vitit të kaluar, të ardhurat e qeverisë nga kjo taksë kanë qenë rreth 1.6 miliardë lekë ose 16 milionë dollarë. Ndryshimet në nivelin e taksave do të sjellin një rritje të të ardhurave me 221 milionë lekë të tjera. Por ndryshimi më i rëndësishëm është plani për të transferuar 25 për qind të të ardhurave nga kjo taksë për llogari të bashkisë apo komunës ku gjendet burimi minerar i shfrytëzuar. Drejtuesit e komunave të zonave minerare janë ankuar prej kohësh për faktin që deri tani, pasuria e nëntokës nuk i ka ndihmuar komunitetet lokale për shkak se të gjitha të ardhurat i janë transferuar qeverisë qendrore. Për disa qyteza të vogla si Bulqiza apo Patosi, ndryshimi i ligjit do t’i rrisë buxhetet e tyre me disa milionë dollarë në vit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›