E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia më e lirë se gazi

29/01/2005  

Dështon strategjia e Qeverisë. Heqja e akcizës nuk e bëri gazin më të leverdisshëm se energjia elektrike

INSTAT: Gjatë dhjetorit, konsumi i dritave është rritur me 27 për qind

Ngrohja me korent nuk është bërë „demode“ me gjithë përpjekjet e Qeverisë, por ka mbetur sërish në modë. Energjia është konsideruar si mundësia e vetme për ngrohje nga familjet, të cilat nuk janë shqetësuar aspak nga ulja e normës bazë së konsumit. Pavarësisht alternativave të propozuara nga tregu, pjesa më e madhe kanë mbetur klientë të KESH-it dhe kanë refuzuar të përdorin gazin ose mjetet e tjera alternative. Qeveria ka dështuar kështu në programin e vet, për të orientuar konsumatorët drejt gazit, me qëllim reduktimin e konsumit të energjisë. Masat e marra, duke hequr akcizën e gazit të lëngshëm, kanë shkuar kot dhe duket se të vetmit që kanë përfituar nga kjo strategji, kanë qenë pikërisht tregtarët e importit. Statistikat e INSTAT kanë evidentuar një rritje të normës së konsumit në fillim të dimrit, duke bërë tremujorin e katërt të 2004-ës, tremujorin me vëllimin më të lartë të energjisë së harxhuar në dy vitet 2003–2004. „Në muajin dhjetor furnizimi rezulton më i lartë sesa niveli mesatar mujor i vitit, duke arritur nivelin më të lartë në muajin dhjetor me 27 për qind më shumë“, thuhet në Bilancin e Energjisë Elektrike të publikuar nga INSTAT. Sezoni dimëror ka ndikuar natyrshëm në rritjen e normës së konsumit të energjisë dhe ditët e ftohta të dhjetorit janë përballuar nga konsumatorët duke ndezur të gjitha pajisjet elektroshtëpiake. Pikërisht në këtë muaj është vënë re se, çdo ditë është përdorur mesatarisht 10.4 GWh energji elektrike, kundrejt 9.8 GWh të përdorur mesatarisht në tremujorin e katërt të vitit 2003. „Konsumi ditor nga familjet është rritur në 6.1 GWh nga 5.99 GWh që ka qenë në tremujorin e katërt 2003“, ka bërë të ditur INSTAT. Duke mbetur gjithnjë në statistikat zyrtare, për INSTAT sektori i familjes ka konsumuar rreth 2.6 për qind më shumë energji elektrike sesa në tremujorin e katërt 2003 dhe 9.2 për qind më shumë sesa në tremujorin e mëparshëm. „Familjet kanë përdorur mesatarisht çdo muaj 188.7 GWh, kundrejt 183.9 GWh në muaj në tremujorin e katërt 2003“, ka bërë të ditur INSTAT në Statistikat e saj zyrtare. Ndërkaq nuk kanë qenë vetëm familjarët, ata që e kanë tepruar me konsumin e energjisë elektrike. Rritje të ndjeshme të normës së konsumit ka patur dhe nga përdoruesit e tjerë, të cilët paraqiten me rritje 5% të përdorimit ndaj tremujorit të mëparshëm dhe me 12.2% ndaj të njëjtës periudhë 2003. Analiza statistikore e INSTAT i ka ardhur në ndihmë teorisë së KESH-it, se furnizimi me energji elektrike ka qenë i vazhdueshëm dhe kohët e krizës kanë kaluar. Duket se shqiptarët jetojnë kohë të bukura, duke patur luksin e harxhimit të energjisë për ngrohje dhe gatim, në një kohë që vendet më të zhvilluara nuk e kanë më këtë mundësi. Por, ndërkaq, shqiptarët ndihen të justifikuar për zgjedhjen e tyre, pasi tregu ofron vetëm alternativa tepër të shtrenjta për xhepin e tyre, duke bërë që të mbeten konsumatorë besnikë të energjisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›