E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia në dimër, KESH do të nis importin në nëntor



“Na pret një dimër i thatë, që do të ndikojë në uljen e prodhimit të energjisë elektrike dhe kjo situate do të rëndojë mbi konsumatorin i cili do të paguajë më shtrenjtë këtë produkt”. Kështu është shprehur dje gjatë një interviste për mediat drejtori i sapo emëruar i KESH-it, Muharrem Stojku. Sipas tij, KESH-i do të nisë importet për të mbajtur premtimin e qeverisë për 24 orë drita. KESH do të nisë në muajin nëntor importet me 2.5 milion lekë energji. Drejtori thotë se qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi energjia nuk do të mungojë. Por nisur nga ndërprerjet e dritave të vërejtura muajin e fundit në vend, Stojku shprehet se ato nuk vijnë për mungesën e energjisë, pasi KESH hedh në rrjet të gjithë sasinë që i nevojitet OSSH-së. Për herë të parë Korporata ka aplikuar për të rritur çmimin e energjisë që do t’i shesë OSSH-së. Kjo kërkesë do të ketë koston e saj tek konsumatori. Aktualisht tarifa e energjisë është 1.6 lekë dhe KESH ka kërkuar që ajo të rritet me 2.5 lekë, çka do të thotë një rritje prej 36%. Por kjo shifër për drejtuesit e korporatës është modeste. Më këtë çmim, KESH synon që të shlyejë borxhet e akumuluara në dy vitet e fundit të cilat arrijnë në 200 milion euro. Bëhet fjalë për kredi nga bankat e nivelit të dytë të cilat ishin në llogari të OSSH-së, por pas privatizimit ato i kaluan për llogari KESH-it. Megjithatë, si pasojë e mirëmenaxhimit për herë të parë kjo korporatë ka dalë më një fitim prej 16 milion euro.

Tregtia e jashtme, BE mbeten partneri kryesor i Shqipërisë

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë partnerët kryesorë të vendit tonë në tregtinë e jashtme. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të INSTAT-it të publikuara dje, gjatë muajit gusht të vitit 2009, tregtia me vendet e Bashkimit Europian ishte 64,7 për qind e totalit. Partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Kështu, me Italinë eksporti është 48,2 për qind dhe importi 20,2 për qind e totalit, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5,9 për qind dhe importi 18,3 për qind. Sipas INSTAT, disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Bullgaria, Kroacia, SHBA, Spanja, Turqia etj, ndërsa për importin, Bullgaria, Greqia, Holanda, Rumania, Rusia, SHBA etj. Gjatë 8 muajve të vitit 2009 (janar-gusht) importi i mallrave të ndryshme drejt vendit tonë ishte 271,882 miliardë lekë, duke pasur ulje në krahasim me një vit më parë, kur kjo shifër ishte 278,275 miliardë lekë. Sipas të dhënave, peshën më të madhe të mallrave të importuara e zunë ato të grupit "Makineri, pajisje e pjesë këmbimi" me 63,889 miliardë lekë (nga 57,141 miliardë që ishte një vit me pare). Më pas vijnë mallrat e grupit "Ushqime, pije e duhan" me 47,861 miliardë lekë (nga 48,861 miliardë që ishte kjo shifër një vit më parë, "Materiale ndërtimi e metale" me 41,974 miliardë lekë (nga 42,653 miliardë lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar) etj.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›