Tatimet, sekuestrim malli për subjektet që nuk paguajnë gjobat në vend
Ervin KOÇI
Bizneset që nuk paguajnë menjëherë gjobën e vendosur nga Tatimet për mallin e rezultuar të paregjistruar, i bëhet direkt konfiskimi i këtij malli. Ky rregull ka të bëjë me ato raste kur nga kontrollet tatimore rutinë ose të befasishme konstatohet evazion fiskal nga subjekti në lidhje me dokumentacionin shoqërues të mallit. Ministria e Financave ka ndryshuar një pjesë të udhëzimit në ligjin për "Procedurat tatimore", duke futur disa elemente të reja dhe riformulim pikash. Ndryshimet vijnë rreth dy vjet pas miratimit të ligjit dhe prekin procedurat në rastet e bllokimit të mallit kur konstatohet evazion fiskal. Në udhëzimin e vjetër, pika 121, sqarohej vetëm procedura që duhet të ndiqte biznesi për të shmangur konfiskimin e mallit dhe rolin e tatimorit në vendosjen e gjobës, por nuk jepej zgjidhje sesi do të veprohej në rast se nuk paguhej detyrimi. Kështu, pas pikave 1 dhe 2, në pjesën që trajton "Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore", shtohet edhe një pikë e tretë, që thotë se, "Në rastet kur tatimpaguesi nuk pranon pagesën e menjëhershme të gjobës të barabartë me vlerën e tregut të mallit të konfiskuar, mallrat e konfiskuar kalojnë për administrim në Rezervat e Shtetit".
Si veprohet
Sipas ligjit në fuqi, biznesi, që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruara me dokumentet e duhura tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore. Për zbatimin e këtij dënimi punonjësit e administratës tatimore duhet të evidentojnë me saktësi faktin që mallrat janë pa dokumentet e kërkuara ligjore dhe gjykojnë se këto mungesa kanë shkaktuar ose kanë për qëllim shmangien e tatimeve, duke pasur parasysh edhe dispozitat e pikës 58 të këtij udhëzimi. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut të mallit të konfiskuar. Pas këtyre procedurave, Ministria e Financave jep dhe sqarimin e fundit, që lidhet me konfiskimin e menjëhershëm të mallit në rast se biznesi nuk bën pagesën e menjëhershme.
Ndryshimet në ligj
Qeveria ka gati edhe ndryshimet e ligjit për rimbursimin e TVSH-së së bizneseve. Propozimi i këtyre ndryshimeve të ligjit vjen nga Administrata Tatimore dhe Ministria e Financave. Tatimpaguesit në rast kur gjykojnë që janë të vonuar nga administrata me pa të drejtë, do të ndërpresin pagesën e çdo lloj detyrimi tjetër në buxhetin e shtetit. Me këtë masë thjesht do të reduktohen në maksimum barrierat administrative. Deri tani shifrat flasin për rreth 60 për qind më shumë rimbursime se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prioritet në këtë shifër kanë pasur eksportuesit. Rimbursimi i Tatimit të Vlerës së Shtuar në kohë për shumë biznese me ndryshimet e reja të ligjit pritet të zgjidhë barrierat për këtë kategori që ankohet. Referuar shifrave për shtatë muajt, tatimet kanë rimbursuar rreth 1.5 miliardë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për bizneset eksportuese, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2009. Sipas të dhënave më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rimbursimi i TVSH-së për periudhën janar-korrik 2009 ka qenë në nivelin e 1.5 miliardë lekë nga 1 miliard lekë të rimbursuara në të njëjtën periudhë të 2008-s, ose rreth 47 për qind më shumë. Përpjekje maksimale po bëhen për rimbursimin e shpejtë të TVSH-së për disa kategori specifike të biznesit që po përballen me vështirësi likuiditeti.
Evazioni
Rezultatet fiskale të qeverisë Berisha gjatë vitit 2009 luhaten mes rritjes ekonomike dhe evazionit të lartë fiskal. Qeveria ende nuk ka mundur t'i ketë të dy këta tregues pozitivë njëherësh. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat në buxhet kanë pasur këtë vit ritmin më të ulët të rritjes edhe pse qeveria nuk ka ulur asnjë taksë gjatë kësaj periudhe, por përkundrazi ka rritur disa prej tyre, e kryesisht akcizat. Në 7 muajt e parë të këtij viti të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ato që mblidhen direkt nga qeveria qendrore, arritën në 119.5 miliardë lekë me rritje reale duke zbritur efektin e inflacionit vetëm 3 për qind. Duke ju referuar të dhënave zyrtare të buxhetit, në rastin më të mirë për financat, nëse rritja ekonomike do të ishte 4 për qind, të ardhurat nga tatimet dhe doganat nga 18.2 për qind që ishin në vitin 2008, do të zbrisnin në 18 për qind të produktit të brendshëm bruto. Nëse rritja ekonomike do të jetë 6 për qind sikundër pretendon dhe mbron qeveria, të ardhurat e mbledhura aktualisht nga tatimet dhe doganat do të binin në 17.6 për qind në raport me PBB-në duke qenë fillesa e rënies për herë të parë që pas vitit 1997.
13 Tetor 2009