E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, privatizimi edhe për OSSH-në e bizneseve VIP

 

Liberalizohet tregu i energjisë elektrike. Së shpejti, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes(OSSH) nuk do të jetë e vetmja kompani që furnizon konsumatorët me energji. Bordi i komisionarëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) ka miratuar fillimin e procedurave për licencimin e një kompanie tjetër për furnizimin me energji për konsumatorët e kualifikuar, ku bëjnë pjesë bizneset. Një vendim i tillë mësohet të jetë marrë pasi është  marrë në shqyrtim i gjithë dokumentacioni i paraqitur nga shoqëria “GEN –I TIRANA” sh.p.k. Shoqëritë që arrijnë të marrin këtë licencë duhet të përmbushin disa detyrime. Kështu furnizuesi i kualifikuar duhet të fillojë aktivitetin brenda 1 viti nga marrja e licencës, në të kundërt kjo licencë e humbet fuqinë juridike. Brenda 15 ditëve nga fillimi i aktivitetit, furnizuesi i kualifikuar do të depozitojë në formën e garancisë bankare, një shumë, që garanton vazhdimësinë e kryerjes pa ndërprerje të aktivitetit. Pavarësisht nga forma në të cilën është bërë garancia financiare, ajo nuk do të jetë në asnjë çast më pak se shuma e nevojshme për kryerjen e kontratës me klientin e kualifikuar në funksion të 30 ditëve kalendarike. Një kusht tjetër është që furnizuesi i Kualifikuar nuk do të furnizojë me energji elektrike Klientin e Kualifikuar pa pajisjen me një sistem matës elektrik për qëllime faturimi, i cili do të plotësojë të gjitha kushtet e përcaktuara nga ligjet dhe normat në fuqi. Përveç kësaj bordi i komisionarëve të ERE-s kanë miratuar fillimin e procedurave për licencimin e kësaj kompanie për kryerjen e aktivitetit të tregtimit të energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›