E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marto në Qeveri, Barka edhe një javë ministër

 

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i ka kërkuar zyrtarisht Kryeministrit Berisha, shkarkimin e Kosta Barkës nga posti i ministrit të Punës dhe zëvendësimin e tij me Andrea Marton. Ish-sekretari i përgjithshëm i ministrisë së drejtuar nga PBDNJ-ja, Andrea Marto, i cili u shkarkua pak ditë më parë nga Kosta Barka, ka marrë OK e kryesisë së kësaj partie dhe është pranuar edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është takuar me kreun e qeverisë në zyrën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar shkarkimin e Barkës dhe zëvendësimin e tij me Andrea Marton. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Dule u shpreh se kreu i qeverisë mori propozimin e kësaj partie dhe e pranoi atë. Në të njëjtën kohë, Dule nuk mohoi faktin se së bashku me emrin e Andrea Martos, në propozimet e dërguara, të kishte edhe emra të tjerë, por pa bërë të ditur asnjë detaj më shumë nga ky takim. Pas takimit me kreun e qeverisë, kryesia e PBDNJ-së u mblodh në një takim me dyer të mbyllura, ku miratoi me unanimitet të plotë shkarkimin e Kosta Barkës me Andrea Marton në krye të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Pas mbledhjes së kryesisë, Dule doli në një konferencë për shtyp, ku bëri të ditur edhe zëvendësimin e përfaqësuesit të kësaj partie në kabinetin qeveritar. “Partia e të Drejtave të Njeriut do të ndryshojë përfaqësimin e vet në kabinetin aktual qeveritar. Konkretisht Kosta Barkën, Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale do ta zëvendësojë në këtë detyrë një përfaqësues i PBDNJ-së konform marrëveshjes me PD-në për koalicionin qeverisës, Andrea Marto”, ka pohuar Dule gjatë takimit me mediat. Ndërkohë gjatë paradites së djeshme ka reaguar edhe Kosta Barka lidhur me shkarkimin e Andrea Martos. “Vlerësova një njeri që e kisha marrë, e kisha komanduar në rolin e sekretarit të përgjithshëm para disa muajsh. Nuk iu përgjigj këtij detyrimi institucional dhe unë si person përgjegjës para qeverisë, para vendit, vendosa largimin e tij nga pozicioni në të cilin e kisha komanduar. Një njeri, i cili në radhë të parë duhet të jetë në rolin e menaxhuesit të burimeve njerëzore nuk ishte prezent në punë, largohej mbi 5-6 orë, bile donte dhe shoqëri në shumë raste jashtë, kështu që unë si një njeri i detyruar t’i përgjigjem detyrimeve të mia e hoqa nga puna”, deklaroi Barka. Por Kosta Barka do të vazhdojë të qëndrojë në postin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, të paktën deri sa të mbërrijë në Shqipëri kreu i shtetit Bamir Topi. Presidenti po merr pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të paktën edhe një javë. Ndërkohë, sipas nenit 98 të Kushtetutës, në pikën 1 të saj thuhet: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›