E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca jep OK, AMC pjesë e “Deutche Telekom”

 

Fabiola Çela

Gjermanët e “Deutsche Telekom” tashmë janë pronarët e rinj të kompanisë greke OTE. Kjo do të thotë se tani e tutje kompania gjermane do të ketë kontroll të drejtpërdrejtë tek OTE. Por jo vetëm kaq. Kompania gjermane do të ketë kontroll të tërthortë tek kompania vendase e celularëve AMC. Kjo pasi OTE zotëron 82 për qind të aksioneve nëpërmjet “Cosmote Group”.
Miratimi
Në mbledhjen e djeshme Komisioni i Konkurrencës ka miratuar autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të vetëm në shoqërinë “Hellenic Telecommunication Organization” SA (OTE) nga shoqëria “Deutsche Telecom”. “Me anë të kësaj kontrate, transaksioni paraqitet si përftim kontrolli i drejtpërdrejtë i DT në O.T.E. Ndërkohë kjo kompani fiton kontroll të tërthortë mbi shoqërinë e telefonisë së lëvizshme, Albanian Mobile Communication (AMC Sha), ku OTE zotëron 82% të aksioneve nëpërmjet “Cosmote Group’”, thuhet në deklaratën për shtyp të këtij institucioni. Aktualisht, OTE është e pranishme në tregun e brendshëm, indirekt, për shërbimet e telefonisë së lëvizshme, nëpërmjet kontrollit të filialit kryesor “Cosmote”, tek shoqëria AMC Sh.a. “Transaksioni që realizon përftimin e kontrollit influencues të operatorit strategjik DT në OTE, nëpërmjet ndryshimit të politikës së drejtimit, zhvillimit të teknologjisë dhe inovacioneve, pritet të rrisë konkurrencën në tregun e telefonisë në përgjithësi dhe indirekt në veçanti, edhe në Shqipëri për telefoninë e lëvizshme”, theksohet në deklaratën e autoritetit. Me realizimin e këtij transaksioni, “Deutsche Telekom”, synon të zgjerojë tregun e komunikimit të telefonisë, kryesisht të telefonisë së lëvizshme; të rrisë shërbimet e internetit në telefoninë e lëvizshme etj. Në këtë mënyrë pritet që të përmirësohet konkurrenca në tregun kombëtar.
Shitja
Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të “Deutsche Telekom”,(DT) kjo kompani tashmë zotëron 25 për qind të aksioneve plus një votë të kompanisë OTE. Kështu marrëveshja mësohet të jetë nënshkruar mes qeverisë greke dhe telekomit gjerman. Bazuar në çmimin aktual të aksioneve të OTE vlera e marrëveshjes të 25 për qind të aksioneve plus një votë kap 3.2 miliardë euro. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i bordit të menaxhimit të telekomit gjerman, René Obermann ka thënë se “Ne kemi si synim të punojmë së bashku si partner me OTE. Me nëpunësit e saj të motivuar OTE ka ndërtuar një pozicion të fuqishëm në tregun vendas grek si dhe në tregun e Evropës Jugore dhe asaj Juglindore dhe për këtë konsiderohet një partner i rëndësishëm për grupin DT”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›