Të burgosurit, qeveria projekt për liri me kusht
Bledar Hoti
Çdo i burgosur që i ka mbetur një vit burg, mund të dalë në gjysmë liri, me të drejtë që të kthehet përsëri në qeli. Qeveria ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal, duke përcaktuar një formë të re dënimi që cilësohet si gjysmë liri. Gjithashtu në këto ndryshime është propozuar që të vendoset edhe gjysmë prova për të burgosurit, ku personi është i dënuar me 5 vjet burg. Bashkë me ndryshimet e Kodit Penal, në Kuvend ka mbërritur dhe një projektligj tjetër, që ka të bëjë me mënyrën e ekzekutimeve të vendimeve penale, të cilat kanë lidhje me shërbimin e provës dhe me dënimet alternative penale, duke bërë që i burgosuri të jetë i detyruar të punojë pa pagesë. Në projektin e dytë për ndryshimin e ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, është parashikuar ngritja e shërbimit të provës, organ që funksion pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas nenit 30, shërbimi i provës mbikëqyr personin e dënuar me gjysmë liri, kur ndodhet jashtë institucionit të ekzekutimeve të vendimeve penale. Persona që janë në gjysmë liri, pas punës që kryejnë janë të detyruar që natën ta kalojnë në institucionin e burgimit. Ndërsa neni 31 sanksionin se, “kur gjykata vendos pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg dhe me pëlqimin e të dënuarit, zëvendësimi i tij bëhet me detyrimin për kryerjen e një pune të papaguar me interes publik. Shërbimi i provës përcakton listën e institucioneve apo shoqërive, publike apo private, ku mund të kryhet puna, me interes publik”. Kjo përfshihet në atë që cilësohet dënim alternativ, me punë detyruese, por pa pagesë. Puna me interes publik pa pagesë nënkupton kryerjen nga i dënuari në favor të shoqatës së caktuar në vendimin e gjykatës, për një kohë nga 40-240 orë”.
Vjedhja e energjisë dhe pronës
Qeveria ka propozuar një ndryshim të Kodit Penal për ndërtimin e objektit në mënyrë të paligjshme. Në ndryshimin e propozuar përcaktohet se, “ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me burgim nga 1-3 vjet, ndërsa në tokën publike ose shtetërore, apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga pesë deri në shtatë vjet”. Ndërsa shkatërrimi i pyjeve apo vënia e zjarreve, drafti parashikon masa të reja ndëshkimi, duke rritur masën ndëshkimore. “Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i fondit pyjor me zjarr dënohet me burgim nga 5-10 vjet dhe me gjobë deri në 500 mijë-1 milion lekë. Kur kjo vepër shkakton pasoja të mëdha dënohet me burgim nga 10-15 vjet burgim dhe nga 1-2 milionë lekë”, thuhet në amendimin e nenit 15 të Kodit Civil. Kjo masë ndëshkimore lidhet dhe me ndryshimin e destinacionit të pyjeve. Ndërsa në propozimin e paraqitur parashikohet tashmë se personat që vjedhin energjinë elektrike apo impulse telefonike nuk do të ketë më ndëshkim me gjobë, por vetëm ndëshkim me burgim, sipas dispozitave aktuale të Kodit Penal.
Ndryshimet e propozuara nga qeveria
Neni 58
Për dënimin deri në një vit burg, gjykata për shkak të detyrimeve të personit të dënuar për punën, arsimin, kualifikimin ose aftësimin profesional, përgjegjësitë thelbësore familjare apo për nevojën për trajtim ose rehabilitim mjekësor, mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim me gjysmë liri.
Personi i dënuar, që vuan dënimin me gjysmë liri, është i detyruar të kthehet në burg, pasi të ketë kryer detyrimet jashtë burgut, brenda periudhës kohore të përcaktuar nga gjykata.
Neni 59
Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë.
Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht të atyre që lidhen me familjen, shkollën dhe punën, rrethanave të kryerjes së veprave penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënimin deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale. Afati i provës është 18 muaj deri në 15 vjet.
Neni 59/a
Kush përfiton nga vendimi
Kush ka dy vjet dënim nga burgimi përfitojnë qëndrim në shtëpi
a) gratë shtatzëna; b) baballarët që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijët, që jeton me të, nën moshën 10 vjeç; c) persona në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm; d) personat mbi 60 vjeç, që janë të paaftë nga ana shëndetësore; e) për të rinj nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore studimore, të punës apo përgjegjësive familjare.