Pensionet shtesë, miratohet struktura e re
Sikundër e parashikon ligji "Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese e të punonjësve të shtetit", qeveria ka zgjeruar listën e institucioneve përfituese në këtë skemë. Me propozim të ministrit të Financave, u miratua dje struktura e re, e punonjësve që do të përfitojnë pension suplementar mbi përfitimet që jepen nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror. Skema e re ka për qëllim të mbështesë punonjësit e shtetit me përfitime të një niveli më të lartë, si shpërblim i punës së kryer në shërbim të tij, për periudha kohe të caktuara. Ndryshimi i skemës vjen si rrjedhojë e krijimit të institucioneve të reja dhe ndryshimit në strukturë të disa prej tyre, duke detyruar qeverinë të riformulojë listën, e cila vazhdimisht ka pësuar ristrukturime.
Përfituesit
Kështu, është parashikuar përfshirja në skemë prej momentit të emërimit në detyrë të punonjësve të Autoritetit të Konkurrencës dhe të Institucionit të Avokatit të Prokurimeve. Duke qenë se këto dy institucione funksionojnë si institucione buxhetore të pavarura, të njëjtë me institucionet e tjera, të cilat janë përfshirë në këtë skemë, u mendua që të përfshihen në skemën e trajtimit të pensionit shtesë. Në skemë është parashikuar të përfshihet dhe Gjykata Kushtetuese, e cila në bazë të ligjit, punonjësit e saj iu nënshtrohen rregullave të shërbimit civil dhe trajtohen financiarisht si punonjësit e administratës së Kuvendit. Në këtë mënyrë, punonjësit e gjykatës duhet të ishin përfshirë në skemë, gjë që nuk ka ndodhur. Sipas ministrit të Financave, "pavarësisht se nuk ishin përfshirë në skemë, ndalesat nga pagat janë kryer në vite për çdo punonjës nga data e fillimit në detyrë. Gjithashtu, me ndërhyrjen e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, janë marrë në konsideratë sugjerimet për të futur në skemën e pensionit suplementar drejtori dhe zv.drejtori i përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në ligj janë bërë disa rregullime të tjera, në emërtimin e punonjësve për Gjykatën e Lartë, të cilët, edhe pse nuk janë përfshirë një pjesë e tyre në skemë, janë kryer pagesat e sigurimeve suplementare në vite.
Ligji
Sipas disa shtesave të miratuara dje, në skemë janë përfshirë: kryetari dhe anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, Avokati i Prokurimeve, kryeinspektori në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, shefi i Kabinetit në Gjykatën Kushtetuese si dhe drejtori i përgjithshëm i AKKP-së. "Për grupin e dytë", që prek ligji i ri, do të përfitojnë: inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, këshilltarët e Gjykatës Kushtetuese dhe zv.nëndrejtori i AKKP-së. Ndërsa në "grupin e dytë", sipas pikës 9, të nenit 1, të ligjit në fjalë, përfitojnë drejtorët e drejtorive në Autoritetin e Konkurrencës, Avokatit të Prokurimeve dhe Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, për të tria këto institucione, do të përfitojnë shefat e sektorit dhe specialistët.