E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja për gazsjellësin shqiptar nxeh SHBA-në

Përpjekjet e Zvicrës për të përshpejtuar ndërtimin e gazsjellësit Transadriatik, që përshkon mes përmes Shqipërinë, nuk i kanë lënë të kënaqura Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkak për kundërshtimin e Uashingtonit është bërë një marrëveshje, që kompania zvicerane EGL nënshkroi dy ditë më parë me qeverinë e Teheranit. Lajmin e ka bërë të ditur rrjeti zviceran i lajmeve ISN, i cili raportoi se Uashingtoni nuk e ka parë me sy të mirë këtë marrëveshje, të cilën Zvicra, nga ana e saj, e konsideron si një ujdi që i jep fund varësisë energjetike të Evropës nga Rusia. Në bazë të marrëveshjes, Irani zotohet të furnizojë me 5.5 miliardë metër kub gaz në vit gazsjellësin, sasi kjo që do të transportohet përmes Shqipërisë në tregjet evropiane. Marrëveshja mes EGL dhe qeverisë së Iranit është arritur pas shumë raundesh të vështira negociatash, pasi në luftë për të siguruar burimet e gazit iranian ishin dhe disa qeveri të tjera, si ajo greke dhe ruse, të cilat kishin dhe projekte rivale gazsjellësish. Por ndonëse arriti një sukses të madh kundrejt projekteve rivale sidomos atij grek, EGL duhet të përballet tashmë me presionin e fortë të Uashingtonit, i cili ka filluar sakaq presionin diplomatik ndaj asaj që e konsideron si thyerje të embargos. Reagimi i SHBA-ve ka ardhur menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, mes qeverisë së Iranit dhe kompanisë EGL, ku ishte pranishëm dhe ministri i Jashtëm zviceran. Ambasada amerikane në Zvicër deklaroi se me këtë marrëveshje po shkelet embargo, që OKB-ja ka vendosur ndaj Iranit dhe se Zvicra po i jep kështu Teheranit një mesazh të gabuar, në një kohë kur ky vend vazhdon me programet bërthamore. Qeveria shqiptare dhe KRRTRSH miratuan vitin e kaluar projektin e shoqërisë zvicerane, i cili parashikohet të kushtojë rreth 800 milionë euro. Madje Berisha deklaroi në atë kohë se qeveria e tij do të lobonte në arenën ndërkombëtare në mënyrë që projekti i EGL-së të merrte mbështetjen e fuqive të mëdha. Gazsjellësi i EGL-së ka një gjatësi prej 513 kilometrash, prej të cilave 196 kilometra shtrihen në territorin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›