E Shtunë, 31 Tetor 2026

Engel: I drejtë vendimi i Thaçit, për pikat kufitare

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, e ka cilësuar të drejtë, marrjen nën kontroll të pikave doganore në veriun e Kosovës. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai i bëri thirrje Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Nuk është e drejtë që mallrat e Serbisë të lejohen të hyjnë në Kosovë ndërsa mallrat e Kosovës të ndalohen plotësisht në Serbi. Çdo udhëheqës i një vendi me sovranitet, siç është Kosova, do të vepronte drejt nëse do të kishte marrë këto masa. Kjo ndihmon për sundimin e ligjit dhe ndihmon për sqarimin e gjërave. Janë zhvilluar bisedime mes kosovarëve dhe serbëve dhe ka patur marrëveshje për të lejuar mallrat nga Kosova të hyjnë në Serbi me etiketat ku shkruhet Kosovë dhe serbët në Beograd nuk e pranuan këtë kompromis”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Engel thotë se Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe shumica e vendeve evropiane e ndjejnë se kjo ishte e vetmja gjë që mund të ishte bërë.
“Mendoj se kryeministri i Kosovës duhet të bëjë atë që është në interes të vendit të tij. Ai nuk ka pse të kërkojë miratim nga të gjithë para se të bëjë një veprim. Po t`i shikojmë gjërat në mënyrë të arsyeshme, do të thoshim se Kosova u ka ofruar shumë kompromise serbëve dhe serbët i kanë hedhur poshtë të gjitha”, u shpreh kongresmeni amerikan.
Sipas zotit Engel, ajo që kërkon Serbia është një ndarje e Kosovës por ai thotë se nëse fillon ndarja atëhere nuk dihet se cili do të jetë fundi.
“Unë mendoj se territoret duhet të mbeten të paprekura dhe se Prishtina duhet të jetë në kontroll të të gjithë Kosovës, pa përjashtuar veriun”, vijon ai.
Zoti Engel beson se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojnë.
“Mendoj se bisedimet janë gjithnjë të dobishme. Bisedimet duhet të vazhdojnë. E di se qeveria e Prishtinës është e interesuar për vazhdimin e tyre”, përfundoi kongresmeni amerikan.
Ligjvënësi amerikan thotë se ka ardhur koha që udhëheqja serbe në Beograd të pranojë se Kosova është një vend i pavarur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›