E Shtunë, 31 Tetor 2026

Engjëlli i Ulpianës

Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit quhet asociacioni më i ri letrar, i përbërë nga shkrimtarë që jetojnë në kryeqytetin e Kosovës. Të shtunën, ky union organizon manifestimin kulturor ‘Engjëlli i Ulpianës”.

Një vizitë në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, tribuna ‘Ulpiana gjatë shekujve’, që do të mbahet në BKUK, një debat lidhur me këtë temë si dhe në fund ora letrare, në të cilën poezitë e tyre do t’i lexojnë disa prej poetëve të kryeqytetit, paraqesin aktivitetet që do të mbahen ditën e shtunë në kryeqytet.

Ky manifestim, i emërtuar ‘Engjëlli i Ulpianës’, organizohet nga Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës, i cili është krijuar para pak ditësh. Kryetare e këtij unioni është zgjedhur shkrimtarja Vjollca Dibra, nënkryetar kritiku letrar Ramadan Musliu, ndërsa sekretar poeti Frrok Kristaj.

Në një konferencë për media, e cila u mbajt të enjten, në njërën prej sallave të Kuvendit Komunal të Prishtinës, udhëheqësit e këtij unioni njoftuan rreth këtij aktiviteti dhe theksuan se do të vazhdojnë edhe me aktivitete të tjera.

Kryetarja Vjollca Dibra u shpreh se krijimi i Unionit të Letrarëve të Kryeqytetit ka për qëllim të mbledhë letrarët e kryeqytetit dhe të bëjë promovimin e aktiviteteve kulturore e shkencore në dobi të zhvillimit dhe pasqyrimit të të arriturave kulturore në kryeqytet.

“Unioni e ka programin e vet, në të cilin ka përvijuar edh synimet kulturore, artistike e shkencore, organin e saj drejtues dhe do të ketë edhe aktivitetin e saj të parë ditën e shtunë”, tregoi Dibra.

Ndërkaq, nënkryetari i këtij asociacioni, Ramadan Musliu, duke folur për aktivitetin e së shtunës, theksoi se qëllimi i këtij manifestimi është ringjallja e kujtesës kulturore.

“Meqenëse aktiviteti fillon me mbulimin e kulturës dardane si epiqendër, do të vazhdohet edhe me aktivitete të tjera që do t’u kushtohen figurave të mëdha historike”, tha ai.

Vitin e ardhshëm do të vazhdohet edhe me aktivitete të tjera për nder të perandorëve ilirë Konstandini i Madh dhe Justiniani. Por gjithashtu do të ketë edhe aktivitete të tjera letrare, kulturore e shkencore.

të përkrahur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe do të mbahet nën patronatin e kryetarit Isa Mustafa.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›