Pajtohen për thellimin e bashkëpunimit

Konferenca e parë ndërkombëtare e cila është duke u mbajtur në Kosovë, të premten ka mbledhur një numër të madh të ministrave të punëve të jashtëm, gazetarë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe personalitete të tjera.
Me këtë rast ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Haxhinasto, të cilin e ka informuar për progresin që ka arritur Kosova për stabilitetin politik dhe për reformat e ndërmarra në vendit tonë gjatë këtij viti.
Po ashtu është biseduar se si dy vendet tona do të ketë një bashkëpunim shumë më të ngushtë drejt integrimit ekonomik, drejt një infrastrukture të integruar dhe me fokus të veçantë që Republika e Shqipërisë ka mbështetur Republikën e Kosovës në anëtarësimin e saj në mekanizmat rajonal.
Ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen që ka dhënë Shqipëria për dialogun për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe çështje kontraktuale me Bashkimin Evropian (BE).
“Shqipëria ka mbështetur dialogun për liberalizimin e vizave në çështjet e marrëdhënieve kontraktuale në mes të Republikës së Kosovës me institucionet relevante të Bashkimit Evropian. Së treti biseduam për çështjet e politikës globale si të tillë, zëvendëskryeministri dhe ministri Haxhinasto është një mbështetës i fuqishëm I Republikës së Kosovës në të gjitha takimet e tija bilaterale dhe multilaterale”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Nga ana tjetër ministri Haxhinasto ka thënë se ka qenë një takim i frytshëm, ku është diskutuar lidhur me objektivat dhe synimet që është integrimi i shpejtë i dy vendeve tona në fushën e ekonomisë, fushën e infrastrukturës, dhe bashkëpunim në fushën e energjisë.
Gjithashtu është biseduar mbi procesin e rëndësishëm të Kosovës në Bashkimin Evropian, ndërsa ministri Haxhinasto ka përshëndetur premtimin që iu është dhënë Kosovës për të marrë këtë vit udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Shefi i diplomacisë së Shqipërisë ka kërkuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë, në të njëjtën kohë ka kërkuar edhe respektimin e marrëveshjeve të arritura.
“Gjithashtu çështje e rëndësishme është edhe situate në veri të Kosovës, Republika e Shqipërisë dëshiron që dialogu të vazhdojë që marrëveshjet e konkluduara të zbatohen që askush të mos e përdorë procesin e dialogut si një pasaportë për të hedhur edhe një port tjetër apo për hedhur një hap tjetër drejt Bashkimit Evropian. Marrëveshjet e arritura të realizohen pasi kështu do t’i shërbehet zhvillimit pse ka filluar ky dialog dhe kështu i shërbehet cilësisë dhe jetës së qytetarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike”, ka thënë Haxhinasto.
Republika e Shqipërisë vlerëson që Kosova duhet sa më parë të jetë pjesë e gjithë iniciativave rajonale. Ministri shqiptar ka thënë se më një koordinim më të mirë Kosovës mund t’i shtohen njohjet edhe më shumë.
“Një nga çështjet më të rëndësishme është integrimi I Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht njohja e pavarësisë së saj nga shtetet e tjera. Kemi 85 shtete sot me punë të fokusuar dhe koordinuara jam i bindur që do të ecim me ritme të tjera në ditët në vazhdim”, ka thënë Haxhinasto.
MPJ, së bashku me Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Britanisë në Kosovë, tash e disa muaj kanë filluar projektin e sensibilizimit të opinionit për përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë, për të cilin qellim edhe organizohet një konferencë ndërkombëtare dyditore në Kosovë.
Me këtë konferencë synohet që të përforcohet prezenca e Kosovës në Bruksel, në kryeqytetet e shteteve që nuk na kanë njohur vendin tonë, por edhe të punohet më shumë në rritjen e bashkëpunimit mes diplomatëve tanë dhe homologëve të tyre në botë.
Ndryshe shteti i Kosovës për herë të parë organizon një konferencë me mbi 100 pjesëmarrës nga mbarë bota, përfshirë ministra të punëve të Jashtme, zv. shefa të shtatmadhorisë ushtarake, ekspert të shoqërisë civile, gazetarë, medie të famshme botërore, të cilët do të mblidhen në Kosovë për dy ditë dhe do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane. (kosovapress)