Enigma e azilit
09/02/2005 Motra e Agim Mushos, Drita, në një intervistë për gazetën “Metropol” tha se, Irena Seli kishte aplikuar për azil politik në SHBA. Sipas Dritës, Irena kishte bërë vitin e shkuar edhe një kallëzim penal në Prokurori, ku ka thënë se e kishin kërcënuar. Një kopje të këtij kallëzimi e ka nisur drejt Amerikës bashkë edhe me disa raporte që vërtetonin dhunën e policisë ndaj saj dhe disa kaseta filmike të efektivave blu që prishnin kompleksin “Bruno”, e që Irena i dërgonte nga Gjermania në SHBA, si ilustrim të dhunës së policisë ndaj saj dhe personave të tjerë të afërt. Të pyetur nga gazeta, zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës nuk e kanë konfirmuar kallëzimin e Irena Selit, por nuk e kanë hedhur poshtë atë. Ndërsa ditët e fundit, vetë Agim Musho, ka mohuar të ketë aplikuar për llotari amerikane bashkë me Irenën. Ai ka pohuar se dokumentet e publikuara së fundmi, e bëjnë të dyshojë se gruaja e tij ndodhet në Shqipëri. Sipas Mushos, në aplikimin për llotarinë amerikane, vetëm firma i përket Irenës. Kjo e bën të dyshojë Agim Mushon, se gruaja e tij e ka hedhur atë firmë kohët e fundit.