E Diel, 1 Nëntor 2026

Enkelejd Alibeaj; Vendimi i parë i Gjykatës Administrative, në vitin 2009

Ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Administrative, më e reja në vend, parashikohet në fillim të vitit 2009. Një fakt i tillë konfirmohet nga kreu i institucionit të drejtësisë, ministri Alibeaj, ndërkohë që shprehet me nota optimiste kur deklaron se “vendimi i parë i Gjykatës Administrative do të jepet në vitin 2009”. Ngritja e kësaj gjykate dhe hartimi i projektligjit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, parashikon shpejtësinë e gjykimit të çështjeve administrative dhe ekzekutimin automatik të vendimit të gjykatës. Për hartimin e projektligjit janë shfrytëzuar eksperiencat e suksesshme të testuara të shteteve perëndimore, ndërkohë që një ndihmë në vendin tonë kanë dhënë edhe ekspertët e SIGMA-s. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, si dhe nëpërmjet Këshillit Konsultativ të Biznesit zhvilloi dje një takim pune me grupet e interesit, përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe juristë për të diskutuar rreth projektligjit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe ngritjen e Gjykatës Administrative. Takimi është hapur me fjalën e organizatorit të këtij takimi, ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili e cilësoi projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative” si një iniciativë të rëndësishme ligjore të qeverisë në funksion të arritjes së standardeve perëndimore. “Ka ardhur koha që sistemi gjyqësor të konsiderohet i tillë kur të konsiderojë shtetin para Gjykatës të barabartë me individin dhe biznesin”, - tha ministri Alibeaj, duke konfirmuar ngritjen e Gjykatës Administrative në fillim të vitit 2009. Duke vlerësuar si mjaft të dobishme konsultimet me grupet e interesit në drejtim të përmirësimit të kësaj iniciative ligjore, zoti Alibeaj tha se “nuk është fjala për një reformim, reformë, por është fjala për t’i dhënë formë diçkaje që i ka munguar sistemit, pra shqyrtimin administrativ. Gjykatat administrative mund të konsiderohen fare mirë si gjykatat e biznesit, gjykatat që janë faltorja e biznesit kundrejt gjykatës administrative, kundrejt abuzivizmit objektiv të administratës publike. Pra, jemi aktualisht në një terren, truall, pothuajse të shkretë të gjykimit administrativ do të duhet të arrijmë në disa standarde, nivele perëndimore të njohura të testuara të suksesshme dhe për këtë nuk duhet vetëm iniciativa të njëanshme, unilaterale, pozitive dhe konstruktive, por duhet të kemi edhe mbështetjen e përfituesve”. Ky projektligj parashikon shpejtësinë në gjykimin e çështjeve administrative, ekzekutimin automatik të vendimit të gjykatës dhe çfarë është më e rëndësishmja, shteti konsiderohet i barabartë me individin pa asnjë lloj avantazhi. Më tej, në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë shprehu vlerësime edhe për kontributin e ekspertëve të SIGMA-s në hartimin e projektligjit për organizimin e drejtësisë administrative mbi bazën e eksperiencave të suksesshme të testuara të shteteve perëndimore. Takimi synonte konsultimin e projektligjit me grupet e interesit dhe përmirësimin e mëtejshëm të tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›