E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Lushnjes; Ndryshon thëniet para gjykatës, mohon të ketë parë autorët e krimit

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijoi dje procesi gjyqësor me pyetjen e 5 personave, një prej të cilëve me statusin e të mbrojturit nga drejtësia. Këta shtetas janë dëshmitarë të akuzës të cilët më thëniet e tyre do të përballeshin me të pandehurit e cilësuar anëtarë të “Bandës së Lushnjes” dhe të akuzuar për një sërë krimesh. Shtatë të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen si autorë dhe bashkëpunëtorë në vrasjen e biznesmenit Xhevdet Demiri, në gusht të vitit 1997, si dhe për krime të tjera. Njëri prej dëshmitarëve, i vënë në listën e të mbrojturve nga drejtësia, drejtoi gishtin mbi të pandehurit dhe deklaroi se ata kanë qenë vrasësit e biznesmenit. Ai madje deklaroi se edhe një tjetër dëshmitar kishte qenë i pranishëm që ka parë skenën e krimit. Por, dëshmitari tjetër mohoi këtë deklarim, duke u përfshirë në një debat mes tyre, i cili nuk rëndoi pozitën e të pandehurve, por u dha më tepër argumente mbrojtjes, avokatëve të të akuzuarve. Ka qenë pikërisht dëshmitari B. Gj., i cili mohoi para togave të zeza të ketë dijeni për ngjarjen, madje duke ndryshuar në tërësi deklarimet e dhëna para prokurorëve në momentet e para hetimore. Për vrasjen e Demirit, për të cilën akuzohet një pjesë e Bandës së Lushnjes, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka konsumuar të gjithë gjyqtarët që drejtojnë proceset. Për këtë ky gjyq, por edhe atë të krerëve të kësaj bande, Aldo Bare e Enver Dondollaku, ndonëse zhvillohen në ambientet e Krimeve të Rënda dhe për llogari të kësaj gjykate, trupat gjyqësore përbehen nga gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës dhe drejtohen secila nga një gjyqtar i Krimeve të Rënda.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›