E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë; Takim konsultativ për projektligjin e gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative

Ministria e Drejtësisë do të zhvillojë sot një takim në kuadër të konsultimit të projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, si dhe për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i procedurave administrative”. Ky takim, i organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet Këshillit Konsultativ të Biznesit do të drejtohet nga ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj. Ministria e Drejtësisë me mbështetjen e ekspertëve të SIGMA-s kanë punuar gjatë këtij viti për hartimin e projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, si dhe për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i procedurave administrative”. Me këtë qëllim, ekspertët e SIGMA-s pas konsultimeve sistematike me grupin e punës së Ministrisë së Drejtësisë, hartuan një policy paper që kishte si objektiv përcaktimin e politikave dhe drejtimeve kryesore të cilat do të shërbenin si bazë në hartimin e projektligjeve të mësipërme. Aktualisht, ekspertët e SIGMA-s kanë dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë draftin e ligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative” i cili, gjatë kësaj periudhe, do të diskutohet në grupin e punës së ngritur për këtë qëllim dhe me grupet e interesit. Takimi synon konsultimin e projektligjit me grupet e interesit dhe përmirësimin e mëtejshëm të tij. Në këtë takim janë të ftuar të marrin pjesë përfaqësues të komunitetit të biznesit të përfaqësuar nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Shoqatat e Biznesit. Ndërkohë që, dita e sotme përkon edhe me kalimin e gjyqtarëve të seksionit administrativ në godinën që deri dje ishte e Gjykatës së Krimeve të Rënda, kalim i cili është parashikuar të përfundojë plotësisht më 15 shtator.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›