E Diel, 1 Nëntor 2026

U kap me drogë, kërkohen 7.5 vjet burg për Alfred Nanajn

I dënuar më parë si pjesëtar në grupin e bujshëm “Kokaina”, Alfred Nanaj do riarrestohej me disa doza kokaine, për të cilat dyshohej se i shiste në tregun kryeqytetas. Në seancën e djeshme, e cila është duke u zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, i pandehuri Nanaj është deklaruar fajtor nga prokurori i çështjes dhe për të u kërkua dënimi me 7.5 vjet burg. Qysh në momentet e para të gjykimit, gjatë kërkesave paraprake, i pandehuri ka kërkuar të gjykohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, nga ku përfiton uljen e 1/3 së dënimit, si dhe veçimin e çështjes nga dy personat me të cilët u arrestua 9 muaj më parë. Sipas akuzës, i pandehuri mbante me vete kokainën, që e kishte përgatitur për ta shpërndarë në disa lokale nate të kryeqytetit në zonën e ish-Bllokut dhe tek stadiumi “Dinamo”. Pas një operacioni të kryer nga zyra e Antidrogës, Alfred Nanaj është ndaluar bashkë me Elvis Gjinon, 20 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi është kryer në rrugën “Viktor Heba” dhe operacioni i quajt “Profesori 3”. Në momentin e arrestimit, të pandehurve Nanaj e Gjino iu bllokua një sasi prej 19.6 gramë kokainë e ndarë në 22 doza, dy telefona të lëvizshëm (celularë), si dhe një sasi parash. Pas arrestimit të dy personave u është komunikuar akuza e “mbajtjes, prodhimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike”. Nanaj, për të cilin u kërkua dje dënimi me 7.5 vjet burg, është arrestuar vetëm dy vjet e gjysmë, pasi kishte fituar lirinë, pas vuajtjes së dënimit prej 5.5 vitesh burg për përfshirje në grupin “Kokaina” dhe për akuzën e “trafikut ndërkombëtar të drogës” në bashkëpunim me Frederik Durdën, Arben Përballën, Sokol Koçiun e Mentor Hadërgjonajn.

Kush është Alfred Nanaj dhe lidhja e tij me kokainën

Alfred Nanaj, i pandehuri i “Kokainës”, vuajti në qeli 66 muaj burg pasi u gjet fajtor për veprën penale të “krijimit të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”. Në vendimin e saj, gjykata argumentoi se Nanaj ishte përfshirë në organizatën kriminale që drejtohej nga Frederik Durda dhe Arben Përballa, në prill të vitit 2000, për shkak të njohjeve që kishte me ta. Nanaj, bashkë me të dënuarin tjetër Vehbi Hysi qëndruan peng në Kolumbi për disa muaj në fillim të vitit 2000, si garanci për 6 tonë kokainë që do te trafikoheshin në Shqipëri prej Durdës. Sipas gjykatës, Hysa dhe Nanaj kanë marrë udhëzimet para nisjes nga Durda, Përballa dhe kolumbiani Velez Urite Pedro Joze. Ata janë njohur edhe me kohëzgjatjen e qëndrimit, personat që do i prisnin, shumën që do të merrnin dhe modalitete të tjera, të cilat kishin të bënin me këtë udhëtim. Pas rënies dakord dhe pranimit të kushteve Hysa dhe Nanaj nëpërmjet Rinasit kanë shkuar në Itali dhe më pas në Kolumbi. Dështimi i trafikut u bë shkak që dy pengjet shqiptarë të liheshin të lirë për t’u kthyer në Tiranë ku u prangosën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›