Vlorë; Nis gjyqi për pemët e prera një vit më parë
Gjyqësori i Vlorës startoi dje procesin gjyqësor në ngarkim të 18 personave, të cilët akuzohen për abuzime me prerjet e drurëve në zonën e lumit të Vlorës. Çështja e bujshme e një viti më parë pritet të shqyrtohet për të nxjerrë përgjegjësit, ndërkohë që të arrestuarit e parë të kësaj çështjeje janë në gjendje të lirë. Siç edhe mësohet gjatë seancës së parë të zhvilluar paraditen e djeshme, mësohet se në listën e të akuzuarve janë veç disa drejtorëve të Ndërmarrjes Pyjore që kanë drejtuar në periudhën kohore prej 5 viteve të fundit, edhe drejtues të drejtorisë nga varet vetë Ndërmarrja Pyjore. Gjykata ka kryer seancën e parë gjyqësore në ngarkim të këtyre zyrtarëve dhe që do të vazhdohet në fund të këtij muaji. Në zonën e Vlorës, pyjet kanë pësuar dëme të mëdha si nga prerjet, por edhe nga djegiet. 18 të akuzuarit janë dërguar para gjykatës, sepse në vitet 2002-2007 kanë lejuar prerje masive të lëndës drusore. Një shkelje e konsideruar veçanërisht e rëndë për këta punonjës, konsiderohet fakti se kanë lejuar prerjet e drurëve të ndaluar me ligj. Dëmtime shumë të rënda janë konstatuar në llojin e quajtur “Ilqe”, një nga drurët më të rrallë dhe më të çmuar në Evropë, të cilët gjenden vetëm në Zvicër dhe Kroaci.