Policia e Shtetit: Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund hetimit për vrasjen e komisar Lamajt

Pas publikimit të fotove, ku në të njëjtën tryezë me Arben Frrokun, shfaqen drejtues të Policisë së Shtetit, drejtuesit Kuliçaj e Vocaj japin dorëheqjen nga ekipi që merret me hetimet për vrasjen e Lamajt. Frroku u arrestua brenda 24 orëve, ndërkohë që në një kohë rekord pritet ekstradimi i tij në Shqipëri
Zëvendësdrejtori përgjithshëm i policisë së shtetit, Agron Kuliçaj dhe drejtori krimeve të rënda, Tonin Vocaj kanë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i hetimeve për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Vendimi ka ardhur menjëherë pas publikimit të disa fotove ku drejtuesit e lartë të policisë janë në të njëjtën tryezë me Arben Frrokun, i arrestuar me akuzën e vrasjes së komisarit Lamaj. Në foto duket qartë edhe Arben Frroku duke trokitur gotën me shefat që deri pak kohë më parë kishin marrë përsipër arrestimin dhe hetimin e tij.
Në tryezë ndodhen zëvendësdrejtori për hetimin Agron Kuliçaj, zëvendësdrejtori për sigurinë, Muhamet Rrumbullaku, si edhe drejtori i operacioneve speciale, Nikolin Balaj.
Vërtetësia e fotove është pranuar nga të gjithë personat që gjendeshin në tavolinë.
Ata thane se fotoja është bërë gjate një darke në një restorant në malin e Dajtit.
Sipas tyre, Frroku është afruar se bashku me pronarin e restorantit duke u ofruar nga një pije.
Drejtuesit e policisë thanë se fotot janë bërë në fillim të vitit 2011, periudhe kur Frroku sipas tyre nuk ka pasur probleme me ligjin.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj e ka cilësuar normale dorëheqjen e Vocajt dhe Kuliçajt. Ai është shprehur se fotoja nuk ndikon në procesin e hetimit. Ai garantoi se policia është e vendosur t’i shkojë deri në fund zbardhjes së ngjarjes. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë në mungesë për Jak Jakun, i arrestuar në Greqi së bashku me Arben Frrokun. Po kjo gjykatë, vendosi izolimin në qeli të vëllait të Jakut, 21-vjeçarin Ndue, të cilit policia i gjeti në banesë disa armë dhe lëndë narkotike.
Interpoli nis procedurat për ekstradimin e Arben Frrokut/Dy ditë pasi gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë me burg për Arben Frrokun, të dyshuarin kryesor për vrasjen e Kryekomisarit, Dritan Lamaj, mësohet se Interpoli është urdhëruar të nisë procedurat për ekstradimin e tij nga Greqia. Masa e sigurisë është dhënë në mungesë, një ditë pas arrestimit të tij në Selanik të Greqisë. Ndalimi i biznesmenit, Arben Frroku dhe shtetasit, Jak Jaku u bë nga pala greke në territorin e shtetit fqinj në një hotel në Selanik, ditën e hënë ora 14.30. Pas konfirmimit të identitetit, u mor dhe masa e arrestit. Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua me 11 plumba mbrëmjen e së dielës në Tiranë në një pritë të mirë-organizuar.