E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Panariti takon Komisioneren e lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Pillay

28-02-2013 / Gazeta 55

Lobim për zgjedhjen anëtar në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në OKB


Gjatë qëndrimit në Gjenevë Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, pati një takim me Komisioneren e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navanethem Pillay. Në fillim të takimit, Ministri Panariti përshëndeti aktivitetin e Pillay në drejtim të promovimit të standardeve të të drejtave të njeriut në botë. Ai tha se Qeveria Shqiptare është e angazhuar seriozisht në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësia në instrumentet e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe ka vendosur një bashkëpunim shumë të suksesshëm me strukturat përkatëse ndërkombëtare. Për këtë qëllim, Qeveria Shqiptare është duke lobuar për t’u zgjedhur si anëtare në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Në vijim, Ministri Panariti theksoi se Shqipëria kontribuon fuqimisht në stabilitetin e rajonit përmes një politike konstruktive me vendet fqinje dhe me gjerë, duke besuar se një element kyç i këtij stabiliteti është mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pakicave. Nga ana e saj Pillay vlerësoi progresin që ka shënuar Shqipëria në respektimin e standardeve të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Ajo përshëndeti, gjithashtu, frymën e tolerancës që ekziston në shoqërinë shqiptare, e cila është një model për vendet e tjera. Në përfundim, ajo e uroi Ministrin Panariti që Shqipëria të kishte sukses në zgjedhjet për anëtare në Këshillin për të Drejtat e Njeriut.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›