Treni godet në shina 35-vjeçarin
TIRANE - Një 35-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dje nga treni i linjës Tiranë-Durrës. Ngjarja ndodhi pranë ish-kombinatit “Josif Pashko”. Policia filloi hetimin për ngjarjen për të sqaruar rrethanat e saj, ndërsa paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për një aksident rrugor. Plagosja ndodhi paraditen e djeshme rreth orës 08:45, kur Luftim Shini, 35 vjeç nga Dibra është përplasur nga treni i linjës Tiranë-Durrës. I dëmtuari sipas burimeve të policisë mësohet se ka qenë duke udhëtuar mbi shinat e trenit ndërsa e ka ndjerë trenin vetëm në çastet e fundit që po afrohej. Mësohet se 35-vjeçari është munduar të shmanget, ndërsa është përplasur nga mjeti hekurudhor. I dëmtuari është dërguar në Spitalin Ushtarak nga disa persona, të cilët e kanë gjetur të dëmtuarin pas aksidentit. Fillimisht i dëmtuari nuk është identifikuar nga stafi mjekësor dhe policia pasi nuk mbante mend asgjë dhe vetëm jepte emrin e tij Luftim dhe atë Kastriot që ishte i fshatit të tij në Dibër. Rreth orës 14:30 aty kanë mbërritur vëllezërit e të dëmtuarit, të cilët janë interesuar për të. Mjekët pohuan se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po mbahet në vëzhgim. d.b