Tiranë, hyn me armë në komisariat, 17-vjeçari alarmon hetuesit e policisë
TIRANE - Një 17-vjeçar nga kryeqyteti i shoqëruar në polici pasi hetohej për kryerjen e një krimi, ka "alarmuar" Komisariatin nr. 3, pasi është mësuar se kishte një pistoletë me vete edhe pasi kishte hyrë në qelitë e izolimit. Ngjarja që mund të ishte kthyer në një skandal në Komisariatin e Policisë nr. 3, ka ndodhur gjatë natës së mërkurë duke u gdhirë dita e djeshme. Rreth orës 00:30, gjatë një kontrolli rutinë një prej patrullave të Komisariatit nr. 3 ka shoqëruar në polici Agron Seferin, që dyshohej për kryerjen e një vepre penale. Patrullat e policisë e kanë dërguar të dyshuarin në komisariat, ku sipas burimeve të policisë ende nuk dihet se si ai ka mundur të futet me armë në ambientet e institucionit. Ngjarja ka shkaktuar alarm në radhët e policisë së kryeqytetit, të cilët kanë izoluar menjëherë të riun që kishte hyrë me pistoletë në komisariat. Gjatë kontrollit teknik që i është bërë armës, pasi ajo i është bllokuar të riut, policia ka gjetur në të një krehër me dy fishekë, ndërsa arma ishte tërësisht në gjendje pune. Kjo ka bërë që policia ta kthejë të shoqëruarin nga person nën verifikim që ishte dërguar në dhomat e shoqërimit në të arrestuar. Blutë i kanë komunikuar atij akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndërsa arma është bllokuar si provë materiale për këtë akuzë. Pas arrestimit të personit "problematik", adoleshenti është dërguar në ambientet e paraburgimit në Komisariatin nr. 3, në cilësinë e personit të arrestuar në flagrancë. Po dje dosja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës. Sipas verifikimeve të para mësohet se të ndaluarit i ishte bërë kontroll nga policia porse verifikimi kishte qenë formal. Të ndikuar nga kritikat e shumta të bëra së fundi për veprime të tejkaluara me qytetarët, efektivat e policisë kanë qenë të kujdesshëm gjatë kontrolleve fizike ndaj të riut. Në këtë mënyrë, pas verifikimeve formale ai është futur në komisariat, ku do të merrej në pyetje dhe do t'i fiksoheshin gjurmët e gishtave, por më pas është konstatuar se mbante një armë me vete, të cilën fatmirësisht nuk e ka vënë në përdorim. d.b