Enti Kombëtar i Banesave bëhet administratore e pasurive të “INSIG”
Pasuritë e patundshme të “INSIG”-ut të cilat deri dje ishin në administrimin e Ministrisë së Financave, shumë shpejt do të ndryshojnë pronar. Sipas vendimit më të fundit të qeverisë ato do të kalojë nën administrimin e Ministrisë së Punëve Publike dhe më saktë të Entit Kombëtar të Banesave. Sipas vendimit, pasuritë e paluajtshme, apartamente, lokale, mjedise shërbimi, që të gjitha në pronësi të “INSIG” sh.a., regjistruar me nr. hipotekar 7792, datë 13.10.1995, të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, do të kalojnë në përgjegjësi administrimi të MPPT-së, për llogari të EKB-së. Kësaj të fundit i kalon në administrim një truall me nr. pasurie 9/15, zonë kadastrale 8330, me sipërfaqe 11416 m2, sipas plan-vendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi, si truall në bashkëpronësi të pandarë, në funksion të objekteve të pasqyruara në këtë plan-vendosje. Ngarkohet EKB-ja të bëjë inventarizimin, me qëllim privatizimin në favor të familjeve që banojnë në këto godina, sipas procedurave të përcaktuara në udhëzimin nr.19, datë 13.9.2007, të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, “Për përcaktimin e rregullave të përgjithshme të zbatimit të programit të banesave me kosto të ulët”. Po ashtu, ngarkohet Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, për regjistrimin e pasurive të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, sipas ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar. Procedurat e privatizimit dhe lidhja e kontratave të bëhet brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e regjistrimit të këtyre pasurive në ZVRPP-në e Tiranës nga EKB-ja. Në rastet kur familja nuk pranon të lidhë kontratën, brenda afatit të mësipërm, me EKB-në, i humbet e drejta e privatizimit dhe pasuria përkatëse do të përdoret nga EKB-ja, në zbatim të programit të banesave me kosto të ulët.
Firmoset marrëveshja për ndërtimin e parkut industrial në Shëngjin
U nënshkrua dje marrëveshja prej 17 milionë eurosh për ndërtimin e parkut industrial në Shëngjin. Projekti u firmos nga Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe përfaqësuesi i kompaninë gjermane “ATX International Tirana”, Robert Goldman. Në fjalën e tij ministri Prifti theksoi faktin se, impakti i menjëhershëm i projektit do të jetë riaktivizimin i zonës dhe punësimi i rreth 3 mijë personave. “Sot kam nënshkruar me kompaninë gjermane ‘ATX International Tirana’ marrëveshjen për ndërtimin e parkut industrial në Shëngjin. Është një marrëveshje, e cila rrjedh nga vendimi i qeverisë numër 11, datë 4.01.2008, për shpalljen e zonës ekonomike në Shëngjin me statusin e parkut industrial Shëngjin”,- deklaroi ministri Prifti. Marrëveshja koncensionare parashikon shfrytëzimin nga firma ndërtuese për 35 vjet dhe parashikon bërjen e disa investime, që te magazinimet e deri të thithja e investimeve për prodhime të teknologjive të larta. “Do të ketë në mënyrë të përhershme rreth 200 të punësuar në atë zonë. Kjo marrëveshje nënshkruhet pas një procesi të gjatë konkurrimi. Ka pasur konkurrim, ka pasur negociata që kanë zgjatur më shumë se një vit dhe sot vijmë në firmosjen e marrëveshjes pasi të gjitha kushtet e palës shqiptare, për këtë lloj investimi, janë plotësuar nga koncesionari gjerman ATX”,- u shpreh Prifti. Përfaqësuesi i kompanisë “ATX International”, Dieter Reinhard,i shprehu falënderimet dhe vlerësoi se kjo marrëveshje është e rëndësishme edhe për partnerin gjerman. “Ky projekt është i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e pjesës veriore të Shqipërisë, por është i një rëndësie të veçantë edhe për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit të vendeve të rajonit, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë”,- tha ai.
Pagesat që duhen bërë pranë AKEP-it, për frekuencat numerike
Qeveria ka miratuar dje vendimin i cili përcakton tarifat e pagesave që subjektet e ndryshme private duhet të bëjnë pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për të përfituar hapësirat e frekuencave numerike. Vendimi sipas ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, u bë me propozimin e ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo. Miratimi i pagesave, që kryhen në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për caktimin dhe përdorimin e frekuencave, të numrave dhe të serive numerike, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, është pjesë përbërëse e tij. Vendimi nr.75, datë 6.2.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e pagesave që kryhen pranë Entit Rregullator të Telekomunikacioneve”, i ndryshuar, shfuqizohet. Për zbatimin e këtij vendimi Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
24 Korrik 2010