Ndryshimet në ligjin e pronave, si preken pronarët e ligjshëm
Vetëm një ditë më parë, deputetët e PD-së miratuan në seancë parlamentare ndryshimet e hartuara nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, për ligjin e pronave.
Ndryshimet në këtë ligj parashikojnë që personat që kanë konflikte pronash mund t’i drejtohen Agjencisë së Pronave për zgjidhjen e tyre dhe jo gjykatave. Pikërisht kjo dispozitë është kundërshtuar ashpër nga pëfaqësuesit e Shoqatës së Ish-pronarëve. Madje, sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Agim Toro ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e këtij ligji. Edhe deputetët e PS-së i kanë cilësuar antikushtetuese ndryshimet në ligj. Ndërkaq, sipas deputetëve socialistë, në 5 vite, ligji i pronave është ndryshuar 6 herë dhe 3 herë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Por duket se deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, maxhoranca arrin të bëjë disa korrigjime të titujve të pronësisë, nëpërmjet ndryshimeve të miratuara një ditë më parë në seancë parlamentare.
Drafti
Por çfarë parashikojnë ndryshimet e miratuara nga PD-ja? Ligji i ri i jep të drejtën personave të cilët kanë konflikt pronësie që t’i drejtohen Agjencisë së Pronave për rishqyrtimin e vendimeve të dhëna më të parë nga ish-komisionet e pronave, apo agjencitë rajonale të pronave, para se çështja të shkojë në gjykatë. AKKP-ja, sipas këtij ligji, mund të shqyrtojë vetëm ato vendime, për të cilat nuk ka një vendim të prerë gjykate dhe që nuk janë në proces shqyrtimi nga gjykata. Projektligji i jep të drejtën AKKP-së që të heqë titujt e pronësisë që janë fituar me ligj. Kjo pritet të hapë një vatër tjetër konflikti pronësie, për shkak se shumë pronarëve mund t’u hiqet e drejta e pronësisë pa një vendim gjykate, vetëm nëpërmjet vendimit të AKKP-së.
“Nëse nuk ekzistojnë kushtet e mospranimit të kërkesës për rishikim të parashikuar në nenin 16/5, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, me vendim të ndërmjetëm, vendos kalimin e çështjes për shqyrtim në themel. Në përfundim të shqyrtimit në themel të çështjes, drejtori i AKKP-së vendos: lënien në fuqi të vendimit; shfuqizimin e vendimit; shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Nëse gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishikim konstatohet se janë kushtet e nenit 116 të Kodit të Procedurave Administrative, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit. Kur vendimi nuk ankimohet brenda afateve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, ai përbën titull ekzekutiv dhe zyrat e shërbimit përmbarimor bëjnë ekzekutimin e vendimit sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile”, - parashikohet në nenin 2 të draftit të hartuar nga Alibeaj dhe që u kundërshtua nga PS-ja.
Ndryshimet në ligj, parashikojnë ndër të tjera, se kërkesë për rishqyrtimin e titujve të pronësisë mund ta bëjnë si subjektet që janë të shpronësuar, ashtu dhe personat juridikë publikë, nëse vendimi që kërkohet të rishikohet, ka cenuar të drejta pasurore shtetërore apo Avokatura e Shtetit. Afati për paraqitjen e kërkesës është vetëm 45 ditë nga dita që kërkuesi ka marrë dijeni efektivisht për shkakun e rishikimit. Kur kërkues është Avokatura e Shtetit, kërkesa paraqitet jo më vonë se 5 vjet nga dita që ka lindur shkaku i rishikimit. Më tej parashikohen dokumentet që duhet të plotësojnë këtë kërkesë, procedurën e verifikimit paraprak, shqyrtimin në themel dhe vendimmarrjen.
Shoqata
Ndërkaq drejtuesit e Shoqatës së ish-pronarëve kanë bërë të ditur se këto ndryshime në ligj do të shtojnë numrin e pronarëve që do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Kjo gjykatë të gjitha vendimet i ka dhënë në favor të pronarëve të ligjshëm duke detyruar qeverinë shqiptare të paguaj shifra të mëdha parash. Për këtë qëllim qeveria i ka dërguar së fundi një letër gjykatës së Strasburgut në të cilin i kërkon të mos japë vendime për kompensim financiar të pronarëve, për shkak se nuk ka para për t’i dëmshpërblyer ato. “Për vitin 2009 Komisioni Europian raporton se në gjykatën e Strasburgut janë 230 dosje të hapura kundër shtetit shqiptar. Rreth 70-80% e tyre janë për çështjet e pronësisë. Nga informacioni qe kemi ne, janë gati edhe 100 apo 150 dosje të tjera të dërguara nga pronarë të ndryshëm shqiptarë në Strasburg”, - bën të ditur Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës së ish-pronarëve. “Sot në gjykatë po gjykohen çështje që kapin vlera të mëdha dhe janë gjykuar çështje siç janë rasti “Bushati” apo rasti “Vrioni”, që i kalon milionat e eurove, 2-3 milionë euro për sipërfaqe toke që relativisht nuk janë të mëdha”, - thotë Toro. Fatura financiare gjithnjë në rritje e pronarëve po bëhet e papërballueshme për shtetin për të cilin Strasburgu ka dhënë edhe zgjidhje të tjera të mundshme. “Zgjidhjet tona janë tek kthimi fizik i tokës dhe Strasburgu këtë kërkon”, - tha Toro, i cili shprehet kategorikisht kundër ndryshimeve të propozuara nga deputeti Alibeaj për ligjin e pronave. “Në rast se PD-ja i qëndron deri në fund vendimit të saj për ta miratuar edhe në seancë parlamentare këtë draft, ne do ta ankimojmë atë në Gjykatën Kushtetuese”, - është shprehur sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ish-pronarëve.
Rastet kur mund të rishikohen vendimet e ish-zyrave rajonale
Kur zbulohen rrethana të reja apo akte të reja shkresore që kanë rëndësi për çështjen, që nuk mund të diheshin gjatë shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës; kur vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilave është dhënë vendimi, të kenë qenë apo të jenë deklaruar më pas të pavërteta me vendim gjyqësor të formës së prerë; kur vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilit është dhënë vendimi, të jenë lëshuar nga zyrtarë të dënuar penalisht për lëshimin e tyre; kur vendimi përmban një gabim material në fakt ose në ligj, bazuar në faktet e administruara në dosje gjatë kohës së shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës; kur zyrtarët që kanë marrë pjesë në dhënien e vendimit, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit, si dhe kur vendimi është bazuar në një vendim gjyqësor ose akt të një organi tjetër që ka ndikuar në marrjen e vendimit dhe që më pas është prishur/ndryshuar.
PLL-ja përshëndet vendimin e GJND-së për Kosovën
Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka përshëndetur dje vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën dhe e konsideron atë një përfundim logjik të sakrificave, përpjekjeve, por edhe maturisë së popullit shqiptar të Kosovës për t’i shpëtuar gjenocidit serb dhe ndërtuar shtetin e ri. “Ne shpresojmë se një veprim i tillë që përligji edhe juridikisht aktin sublim të shpalljes së Pavarësisë Kosovës, krahas shtimit të njohjes ndërkombëtare për shtetin më të ri, do të shërbejë edhe si nxitje për institucionet e Kosovës që të ushtrojnë në mënyrë të plotë sovranitetin e tyre në të gjithë territorin e vendit. Partia “Lëvizja e Legalitetit” ndjen kënaqësi që koha po flet shqip dhe se padrejtësitë historike po ndreqen njëra pas tjetrës. Është detyrë e klasës politike në të dyja anët e kufirit që të largohet nga kërkesat minimale dhe të bëhet promotore e aspiratës së popullit shqiptar për bashkim kombëtar, si zgjidhja më e natyrshme në raport me të drejtën historike dhe nevojën konkrete për vitalizmin e energjive që gëlojnë brenda kombit”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të PLL-së.
24 Korrik 2010