Felaj: “Të nisin hetimet për pasurinë e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti”
Eneida Jaçaj - Partia Socialiste i bën thirrje prokurorisë të nis hetimin për transparencën e pasurisë së ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ka qenë sërish deputetja Ermonela Felaj, e cila përballë fakteve korruptive të ministrit Prifti kërkon të vërë në lëvizje organet e hetimit.
Deklarata
“Nuk ka mbetur më shqiptar, i madh e i vogël, që të mos kuptojë aferat korruptive që e kanë pasuruar Ministrin e Ekonomisë me plot 2 miliardë e gjysmë lek vetëm gjatë një viti, viti që shënoi kulmin e krizës ekonomike për shqiptarët”, - u shpreh Felaj. Sipas saj, Prifti është pasuruar në një kohë kur mbizotëron kriza ekonomike. “Ndërkohë që në Shqipëri papunësia u rrit vitin e fundit me plot 100 mijë të papunë, ndërkohë që për pensionistët dhe punonjësit e administratës shtetërore jetesa u vështirësua, ndërkohë që faturat e ujit dhe të energjisë u disafishuan, ministri Prifti deklaroi një fitim neto prej 2 miliardë e gjysmë lekësh. Sikur kjo të mos mjaftonte, media ka arritur të zbulojë pasuri të tjera të padeklaruara të këtij njeriu, i cili në drejtim të ekonomisë shqiptare e rrënoi ekonominë e vendit për të ngritur mbretërinë e tij personale. Dritan Prifti nuk mund të fshihet. Ai duhet të japë përgjigje, jo vetëm përpara drejtësisë, por edhe përpara të gjithë shqiptarëve”, - tha Felaj.
Apeli
Apeli i Partisë Socialiste bëhet edhe në drejtim të ministrit Prifti, të cilit i bën thirrje të japë shpjegime për pasurimin e tij brenda një viti. “Si i fitoi Dritan Prifti plot 2 miliardë e gjysmë lekë në vitin e krizës ekonomike. Cila është lidhja e vërtetë mes Dritan Priftit dhe Petrit Vasilit. Cili është roli i shtetasit Rasim Hamzaraj, kushëri i Petrit Vasilit, përfitues i tenderave të ilaçeve, i emëruar nga Dritan Prifti në bordin mbikëqyrës të OST dhe njëkohësisht njeriu që bleu për 2 miliardë e gjysmë lek aksionet e ministrit të Ekonomisë në fabrikën e tullave. Si e shpjegon Dritan Prifti faktin që papritmas në pasurinë e tij figurojnë të jenë shitur aksione të padeklaruara më parë, për një vlerë plot 2 miliardë e gjysmë lek. Si e shpjegon Dritan Prifti faktin që këto aksione Ministri i Ekonomisë ia ka shitur një shtetasi të punësuar prej tij, një vartësi, duke shkelur hapur ligjin për konfliktin e interesit”, - u shpreh Felaj.
24 Korrik 2010