Fondet e ministrive, në se nuk përdoren në afat i kalojnë buxhetit 2011
Ervin KOÇI
Qeveria ka vendosur që të mos tolerojë më institucionet që nuk janë në gjendje të administrojnë fondet e tyre. Me anë të një vendimi i cili presupozohet që të disiplinojë përdorimin e fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit, ministrive dhe institucioneve të administratës, qeveria kërkon në fakt rialokimin e tyre dhe kalimin për në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ende pa u mbyllur procesi i rishikimit të shpenzimeve për këtë vit, me debate të shumta në Parlament, Ministria e Financave ka nisur punën për hartimin e buxhetit 2011. Por duket se një pjesë e fondeve që ministrive dhe institucioneve në varësi u kanë mbetur nga ky buxhet, do të digjen dhe do t’i kalojnë atij të vitit të ardhshëm. Kjo gjë konstatohet në faktin se MF-ja ka vendosur afate shumë të shkurtra për mbajtjen e tenderëve të mbetur për shpenzime të ndryshme, në një kohë që ka reduktuar në maksimum ose ka shkurtuar fare shpenzimet operative. MF-ja ka lëshuar një udhëzim në formë urdhri për të gjitha institucionet, mbi formën se si duhet të plotësojnë formularin me të ardhurat dhe shpenzimet. Ndryshe nga vitet e kaluara, ministria u ka kërkuar njësive publike të jenë të kujdesshme në përgatitjen e projektbuxhetit 2011, sidomos në pjesën e shpenzimeve, ku theksohet disa herë rëndësia e paraqitjes në formë të detajuar të fondeve që nevojiten për kryerjen e tenderëve të ndryshëm për shpenzime operative. Tjetër risi në përgatitjen e buxhetit është paraqitja e shpenzimeve për paga, personel etj., si dhe parashikimi i të ardhurave, duke vendosur çdo burim të mundshëm. “Ritheksojmë se raportet që duhen të dorëzohen deri më datë 31 gusht 2010 nga institucionet qendrore dhe fondet speciale të tyre, duhet të jenë të pasqyruara sipas udhëzimit të ri, duke përjashtuar shtesat”,- citohet në udhëzimin e përgatitur nga ministri Bode.
Projektbuxheti
MF-ja prej tre vitesh aplikon standarde të reja në hartimin e buxhetit, duke nisur me fazën e parë, që është caktimi i tavaneve për çdo institucion në tri vitet e ardhshme. Pas kësaj, hartohet projektbuxheti, duke iu referuar tavaneve të përgatitura më parë, pa tejkaluar planin. Megjithatë, ka raste kur institucionet përfitojnë më shumë fonde nga sa është parashikuar në planin buxhetor afatmesëm, dhe kjo ndodh kur kërkesa e tyre është bindëse dhe paraqitet me analizë të detajuar të projektit. Por duket se këtë vit institucionet nuk do të mund të gazojnë as fondet tashmë të përgjysmuara nga shkurtimet që ndodhën dhe që u miratuan në Kuvend. Pikërisht për këtë qëllim qeveria nxori dje vendimin për rishikimin e shpenzimeve të personelit, të miratuara në ligjin nr.10 190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”. Sipas këtij vendimi të ri, për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme, shpenzimet e personelit përbëjnë kufirin maksimal, të lejuar për t’u përdorur, për çdo njësi shpenzuese, për punonjësit e miratuar me aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore.
Shpenzimet
Për disiplinimin e këtyre shpenzimeve, vetëm për vitin 2010, sipas vendimit më të fundit të qeverisë do të respektohen këto masa: a) Shpenzimet e personelit, të dhëna me hollësi, në nivel mujor dhe të depozituara në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, në Ministrinë e Financave, nuk avancohen. b) Fondi i veçantë i planifikuar në shpenzimet e personelit të mos përdoret për shpërblime e për veprimtari social-kulturore, deri më datë 1 dhjetor 2010. Çdo shpërblim, i dhënë në kundërshtim me vendimin nr.1151, datë 25.11.2009, të Këshillit të Ministrave, përjashtuar pikën 5 të tij, të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese. c) Shpenzimet e personelit, për orë pune, mbi kohën normale të punës, të përdorura në kundërshtim me udhëzimin nr.19, datë 10.7.2008, të ministrit të Financave, “Për vendosjen e disa standardeve në planifikimin e shpenzimeve për personelin”, të kthehen në buxhetin e njësisë shpenzuese. ç) Të mos ndërmerren ndryshime në strukturat ekzistuese, që shoqërohen me efekte financiare shtesë. Përjashtim nga ky kufizim bëhet vetëm në ato raste kur kemi të bëjmë me krijimin e institucioneve të reja.
BOX//////////////////////////
Shpenzimet për udhëtime dhe dieta i kalojnë buxhetit 2011
Në transferimet dhe ndryshimet e destinacionit të fondeve që qeveria do t’u bëjë atyre të këtij viti, përfshihen edhe ato të shpenzimeve për udhëtime dhe dieta. Të gjitha fondet buxhetore, që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më datë 1 gusht 2010 rezultojnë të paprokuruara, do të bllokohen. Në kuptim të këtij vendimi, “fonde të paprokuruara” do të vlerësohen ato fonde, për të cilat, deri më 1 gusht, nuk është lidhur kontratë. Trajnimet jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar me fondet e miratuara për vitin 2010, sipas urdhrit të qeverisë do të bllokohen. Po ashtu edhe shpenzimet për udhëtime e dieta për njësitë e qeverisjes së përgjithshme do të reduktohen, duke përfshirë vetëm udhëtime të rëndësisë së veçantë e vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve, duhet të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror. Për vitin e ardhshëm duket se do të mbesin edhe pagesat për nëpunësit civilë, që janë në listë pritjeje. Ato do të jepen vetëm pas konfirmimit zyrtar të Departamentit të Administratës Publike dhe përfshijnë pagesën për nivelin e pagës për funksion, pagës për diplomë dhe pagës për vjetërsi në punë.
24 Korrik 2010