E Diel, 1 Nëntor 2026

Pajisja me kasë fiskale, si të veproni kur prishet aparatura



Ervin KOÇI

Pajisja me kasa fiskale e subjekteve të biznesit tani mund të konsiderohet e realizuar në një pjesë të madhe të saj. Pas pajisjes së biznesit “VIP” me aparaturat fiskale, procesi ka nisur në rang vendi për subjektet e biznesit të madh dhe të vogël që janë pagues të TVSH-së. Por edhe në këtë fazë procesi i instalimit të pajisjeve fiskale ka hasur në jo pak vështirësi, ku janë të shumtë subjektet private që ankohen për instalimin jo të rregullt të kasave. Paralel me këto probleme kanë vijuar gjatë këtyre kohëve aksionet e tatimorëve që në rang vendi kanë nisur një aksion për verifikimin e subjekteve nëse i kanë instaluar ose jo pajisjet fiskale. Në shumë raste për subjektet që janë kapur pa kasa të instaluara janë vendosur gjoba jo të vogla. Kjo ka shkaktuar në jo pak raste polemika dhe debate mes tatimorëve dhe bizneseve, ku këto të fundit fajësojnë edhe kompanitë që tregtojnë dhe instalojnë kasat fiskale. Por akuzat e bizneseve nuk pranohen nga kompanitë e licencuara për shitjen dhe instalimin e kasave fiskale. Përfaqësues të këtyre kompanive thanë dje për gazetën “Albania” se ata janë duke punuar vetëm sipas procedurave të përcaktuara nga Ministria e Financave duke qenë korrekt me ligjin. “Ne jemi licencuar nga MF-ja dhe kemi një kontratë me ta. Në bazë të saj bëjmë shitjen, instalimin në vend dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale sa herë që ato kanë anomali ose probleme të tjera gjatë punës. Për këtë i pajisim edhe subjektet me dokumentacionin dhe garancinë përkatëse të miratuar edhe nga MF-ja”, - deklaron administratori i kompanisë “AED”.

Asistenca teknike
Sipas përfaqësuesve të kompanive që tregtojnë kasat fiskale, këto pajisje janë elektronike dhe punojnë me burim energjie elektrike, si dhe janë të lidhura me një server qendror i cili është nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në këtë server bëhet edhe hedhja e të gjitha të dhënave ditore dhe mujore nga subjektet që përdorin pajisjet fiskale, ku secila ka kodin e saj. Por si pajisje elektronike, edhe kasat fiskale mund të pësojnë defekte të ndryshme që mund të shkaktohen kryesisht nga burimi i energjisë elektrike, ose nga keq përdorimi. Për të dyja rastet përfaqësuesit e kompanive thonë se janë ata përgjegjës për rregullimin po jo për prishjen e aparaturës. Ata rekomandojnë se në rast defekti, subjekti nuk duhet të ndërhyjë vet për ta riparuar ose ta çojë pajisjen te një subjekt i pa autorizuar për ta riparuar. Edhe sikur kjo të bëhet, rregullimi nuk njihet nga tatimet dhe nga kompania administruese e pajisjes, e për pasojë subjekti që ka në përdorim pajisjen fiskale ndëshkohet me gjobë. Riparuesi i vetëm i kasës fiskale është vetëm kompania që e ka shitur këtë pajisje dhe që kujdeset në bazë të marrëveshjes me MF-në edhe për mirëmbajtjen dhe administrimin e saj. Në rastet e defekteve, subjekti privat njofton kompaninë e mirëmbajtjes për çka ka ndodhur me anë të telefonit dhe është detyra e kësaj të fundit që brenda ditës të dërgojë për riparim teknikun. Është vet kompania e mirëmbajtjes që njofton për këtë edhe DPT-në duke bërë shkëputjen e përkohshme të kodit të subjektit nga rrjeti. Por biznesi që e ka të prishur kasën fiskale, gjatë kohës një ditore që ka mungesën e saj duhet të regjistrojë të gjithë xhiron në regjistrat tatimorë (librat e shitje-blerjeve). Në rast se defekti i pajisjes fiskale zgjat për t’u riparuar, atëherë subjektit i sillet një pajisje zëvendësuese nga vetë kompania por që lidhet me sistemin qendror të serverit në DPT-ë.

Kontrata
Sipas MF-së: “pas nënshkrimit të kontratës mes biznesit dhe shoqërisë së autorizuar, kasa dhe sistemi fiskal duhet të vendoset në punë brenda 15 ditëve”. MF-ja ka vendosur si kusht kontrollin e pajisjes, që biznesi duhet ta bëjë detyrimisht një herë çdo 6 muaj. Sa i takon memories fiskale që biznesi duhet ta ketë me shumë kujdes, funksioni i saj kryhet edhe në rastet kur mungon energjia elektrike, ndërsa informacioni i hedhur mbi të nuk mund të fshihet apo ndryshohet, por vetëm të shkruhet apo të lexohet. Memoria fiskale duhet të memorizojë të dhënat e regjistruara për një periudhë minimale kohore 5-vjeçare, ndërsa kapaciteti i memories duhet të sigurojë minimalisht ruajtjen e 1800 raportimeve ditore fiskale. Lidhur me ngarkesën e memories fiskale, nëse ajo është mbushur plot, nuk duhen të kryhen më veprime të xhiros së biznesit, por zëvendësohet në prani të shoqërisë së autorizuar.

Fatura fiskale, cilat subjekte duhet ta japin dhe cilat jo

Nisur nga fusha e aktivitetit dhe vendndodhja e biznesit, MF-ja përcakton me këtë rast kategoritë që nuk duhen të lëshojnë kupon tatimor. Me VKM-në e fundit, datë 17 shkurt 2010, bizneset që paguajnë tatime mbi të ardhurat nga kryerja e veprimeve për shuma të vogla të të ardhurave neto, me përjashtim të shoferëve të taksive, nuk do të lëshojnë kupon tatimor, sikurse dhe personat që nuk janë tregtarë dhe e realizojnë qarkullimin e produkteve bujqësore dhe të papërpunuara mbi tezga, në tregjet e organizuara, si dhe jashtë merkatove. Përjashtohen nga lëshimi i kuponit edhe kategoria e atyre individëve që japin me qira mjedise biznesi, si dhe ato aktivitete biznesi që ushtrohen në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 banorë dhe që janë të ndryshme nga vendet turistike. Një tjetër pikë e vendimit specifikon subjektet që nuk mund të pajisen me kasë fiskale, që janë ambulantët dhe shërbimi i transportit.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›