E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: “Ministri Prifti kërkon të privatizojë Fushën e Aviacionit”



Deputeti socialist Eduard Shalsi ka deklaruar se ministri i Mrojtjes, Arben Imami dhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti kanë nxjerrë në procesë privatizimi ‘Fushën e Aviacionit’. Ndërkohë që nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik. “Kjo fushë, ku vetë Lul Basha e Arben Imami me Sali Berishën në krah e me një projekt fantazëm në shpinë kanë premtuar të bëjnë lulishte gjatë fushatës, është nxjerrë në shitje nga ministri Prifti. Sigurisht, kjo pasuri e publikut që aktualisht po transformohet në një park urban fantastik, ka nxitur oreksin e pashuajtshëm të këtyre të babëziturve pa din e iman dhe është futur në kasaphanën, ku pushteti i sotëm familjar i Sali Berishës po therr Shqipërinë. Kjo është fytyra e këtij pushteti altoparlantësh, që shajnë papushim prej vitesh bashkinë pse nuk ka më shumë lulishte, çerdhe e shkolla, po nga ana tjetër nuk lanë truall e gërmadhë çerdheje pa e gllabëruar përmes privatizimesh korruptive. Këta të babëzitur që vjedhin çdo gjë, shtojnë me këto krime të mirëfillta si privatizimi i kësaj fushe pasurinë e patundshme të familjes apo fryjnë thesin e parave të pista të korrupsionit me gjobat vënë për të transferuar pronat e publikut në dorën e klientëve të pushtetit të tyre”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar se “për këtë pushtet, Shqipëria është një llokmë që duhet shqyer e futur në oborrin e familjes. Kurse për Tiranën, ky pushtet është një armik i të ardhmes, i bashkëjetesës qytetare dhe i çdo shëmbëlltyre të përparimit, siç është ky park i madh që rrezikon të kthehet në pronë private e atyre që qeverisin Shqipërinë”. Deputeti Shalsi i ka bërë thirrje qeverisë që mos të privatizojë ‘Fushën e Aviacionit’, por ta tërheqë menjëherë procesi i privatizimit. “Tërhiqeni këtë park nga lista e gjatë kriminale e privatizimeve që i janë dhënë për ekzekutim Dritan Priftit nga Arben Imami për llogari të Sali Berishës. Ne do ta mbrojmë këtë park me trupat tanë sot dhe nesër me anulimin e kësaj procedure skandaloze, për të cilën do të përgjigjet herët a vonë çdo njeri që do të hedhë firmën”, - u shpreh Shalsi.

Ministria e Mbrojtjes, Arapaj: “Nuk ka asnjë proces privatizimi për Fushën e Aviacionit”

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Brikena Arapaj ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Socialiste për privatizimin e pronave në ‘Fushën e Aviacionit’. Ajo bëri me dije se Ministria e Mbrojtjes nuk ka iniciuar asnjë procedurë privatizimi për prona në këtë zonë dhe ka ftuar Bashkinë e Tiranës, të nxjerrë ekspertë të saj për të ofruar fakte konkrete. “Ju bëjmë me dije se Këshilli i Ministrave me vendimin nr 2, datë 04.08.2006 ka miratuar ndryshimin e një sipërfaqe prej 5.5 hektarë nga zonë e veçantë në zonë të gjelbër, vendim i cili ngarkon për zbatim Bashkinë e Tiranës. Kjo sipërfaqe toke është duke u përdorur aktualisht nga Bashkia e Tiranës dhe si rrjedhojë deklaratat e Partisë Socialiste bëhen tërësisht të pakuptimta. Sqarojmë edhe një herë se të gjitha pronat që i kanë kaluar Ministrisë së Ekonomisë janë të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes”, - u shpreh zëdhënësja Arapaj.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›