E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mrekulluar pas 40 ikonave!

26/02/2009  Korçë, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në vëmendjen e të huajve

Vepra nga autorët Jeromonaku, Shpataraku, Konstandini, Selenica e Zografi

KORÇE- Rreth 40 ikona të restauruara, që tashmë gjenden në sallonin e ekspozimeve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, vazhdojnë të befasojnë me vlerat e tyre të rralla, vizitorët vendas dhe të huaj. Kjo edhe për faktin që këto ikona përveçse kanë qenë të dëmtuara, nuk kanë qenë kaq të ekspozuara për vendasit dhe të huajt. Veç kësaj ekspozimit të 40 ikonave u janë shtuar edhe objekte të tjera të paekspozuara më parë, çka do të thotë se tashmë gjendesh përballë një salloni të panjohur deri më tani.

Muzeu

Gjithçka më sipër është bërë e njohur nga burime pranë Muzeut Kombëtar të Artit mesjetar Korçë. Sipas burimeve në fjalë, tashmë pas restaurimit gjithçka është bërë e mundur për çdo njeri që dëshiron të njihet me kulturën e artit mesjetar. Dhe e vërteta është se numri i vizitorëve ka qenë mjaft i lartë, pasi ka patur të interesuar jo vetëm nga vendet fqinj, por edhe vizitorë studiues restauratorë të botës perëndimore. Pritet që ky vit të shënojë një numër më të madh vizitorësh të regjistruar deri më sot. Është kjo arsyeja (veçantia e kësaj ekspozite) që në muajin qershor, në rajonin e Pulias do të çelet një ekspozitë me ikonat e restauruara, ku veç tyre do të ekspozohen edhe ikona të tjera me rëndësi të veçantë për Artin e mesjetës. Ndërkaq drejtuesit e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë bëjnë të ditur se janë në bisedime me austriakët, gjermanët, (drejtues të muzeve), por edhe me muzeun e artit bizantin në Selanik për hapjen e ekspozitave edhe në këto vende. Tashmë është fakt se gjatë viteve të fundit ky muze ka nisur të tërheqë vëmendjen e shumë vizitorëve, shumë vendeve, por edhe të shumë studiuesve. Ikona me e hershme e këtij muzeu i përket shek. XIII-XIV e në vijim ku çdo vendas dhe i huaj, mund të njihet me mjeshtërinë e ikonografëve të tillë si Onufri, birit të tij Nikolla, Onufër Qiprioti, apo me mjeshtër të tillë si Kostandin Jeromonaku, Kostandin Shpataraku, mësues Konstandini, David Selenica, vëllezërit Konstandin dhe Athanas Zografi, apo edhe me bijtë e tyre e të tjerë. Ikonat e restauruara arrijnë të shprehin dukshëm dhe qartë vlerat historike, kulturore dhe artistike që mbart ky muze. Ndërkaq burime pranë këtij muzeu bëjnë të ditur se tashmë, për herë të parë në Shqipëri, përmes një bashkëpunimi me muzeun Bizantin të Selanikut është botuar “Katalogu i restaurimit të ikonave”, i cili është konsideruar si një botim mjaft i rëndësishëm dhe me vlera të mëdha.

VËMENDJA

Gjithsesi ekspozimi i 40 ikonave të restauruara ka sjellë një tërheqje të vizitorëve vendas dhe të huaj. Ndërkohë ky muze ka patur të interesuar jo vetëm nga vendet fqinj, por edhe vizitorë studiues restauratorë të botës perëndimore, të cilët kanë mbetur të mahnitur.

KUJDESI

Fal rëndësisë që ka ky muze, tashmë i janë shtuar edhe dy laboratorë të tjerë, ai i restaurimeve dhe i kimisë, por ndërkohë mund të thuhet se gjatë viteve të fundit, puna e restauratorëve të këtij muzeu është bërë gjithë një e më cilësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›